Amerika Postuar më 28 Maj 2022, 11:19

Rriten shpenzimet konsumatore në SHBA - Ngadalësimi i inflacionit mund të mbështesë rritjen ekonomike në 3-mujorin e dytë

Nga SCAN TV

Shpenzimet konsumatore në SHBA u rritën më shumë se sa pritej në prill pasi familjet shtuan blerjet e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa inflacioni u ngadalësua, çka mund të mbështesë rritjen ekonomike në tremujorin e dytë mes frikës në rritje të një recesioni. Perspektivat afatshkurtra të ekonomisë u përmirësuan gjithashtu nga të dhëna të tjera nga Departamenti i Tregtisë, që tregojnë se deficiti tregtar i mallrave u ngushtua ndjeshëm muajin e kaluar. Një deficit tregtar rekord shkaktoi një tkurrje të prodhimit në tremujorin e parë.

Shpenzimet konsumatore, që përbëjnë më shumë se dy të tretat e aktivitetit ekonomik të SHBA-së, u rritën 0.9% muajin e kaluar. Të dhënat për muajin mars u rishikuan më lart për të treguar se shpenzimet ranë me 1.4% në vend të 1.1% siç ishte raportuar më parë. Shpenzimet për mallra u rritën me 0.8%, të nxitura nga mjetet e reja motorike, veshjet, këpucët, mallrat rekreative si dhe orendi dhe pajisjet shtëpiake. Kërkesa për mallra mbetet e fortë edhe pse shpenzimet për shërbime po rriten.

Të ardhurat personale u rritën me 0.4%, me pagat që përbëjnë pjesën më të madhe të rritjes. Norma e kursimit ra në 4.4%, më e ulëta që nga shtatori 2008, nga 5% në mars. Kjo sugjeron se familjet kanë përfituar më shumë se 2 trilion dollarë kursime të tepërta të grumbulluara gjatë pandemisë COVID-19. Reduktimi i kursimeve mund të nënkuptojë shpenzime më të ngadalta të konsumatorit, veçanërisht duke pasur parasysh kostot në rritje të huamarrjes.

Qëndrimi i ashpër i politikës monetare të Rezervës Federale, ndërsa lufton për të frenuar inflacionin e lartë dhe për ta rikthyer atë në objektivin e saj prej 2%, ka nxitur shqetësimet për një recesion. Frika nga një rënie ekonomike është përkeqësuar gjithashtu nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, si dhe nga politika zero COVID e Kinës. Banka Qendrore e SHBA-së ka rritur normën e saj të interesit me 75 pikë bazë që nga marsi. Fed pritet të rrisë normën njëditore me gjysmë pikë përqindjeje në secilin nga takimet e saj të ardhshme në qershor dhe korrik.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat