Shqipëria Postuar më 28 Maj 2022, 11:08

AKBN rinxjerr për eksplorim 2 blloqe nafte - Investitorët e interesuar mund të aplikojnë për bllokun C dhe Panaja, u ofruan edhe në 2019-ën

Nga SCAN TV

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka ndërmarrë një fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkimit të naftës, teksa ka ofruar për eksplorim bllokun C dhe Panaja në tokë. Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit do të jetë deri në 5 vjet, por në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të zgjatet deri në 7 vjet.

Periudha e eksplorimit do të ndahet në tri faza, ndërkohë që kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi, që ndër të tjera parashikon detyrime për punësimin e banorëve të zonës. Po ashtu, në kritere përcaktohet se në rast zbulimit tregtar, periudha e zhvillimit dhe prodhimit do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet më tej.

Kjo nuk është hera e parë që AKBN ofron për eksplorim këto 2 blloqe nafte, pasi një fushatë e ngjashme u ndërmor edhe në vitin 2019. Përveç tyre, në atë kohë u ofrua për eksplorim edhe blloku Dumrea, teksa procedurat u finalizuan vetëm për këtë të fundit. Marrëveshja për nisjen e operacioneve të kërkimit të naftës për këtë bllok u nënshkrua me kompaninë italiane ENI, në fund të vitit 2019.

Ndërkohë që, edhe për bllokun C, pati një shprehje interesi, por nënshkrimi i marrëveshjes hidrokarbure nuk u arrit. Fushata e radhës, e ndërmarrë nga AKBN vjen pas një urdhri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me datë 26 prill 2022, ndërkohë që kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 10 gusht për të aplikuar.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat