Shqipëria Postuar më 28 Maj 2022, 11:09

Investitorët, interes për energjinë diellore - Aplikime pranë MIE për 2 centrale të mëdhenj. Nuk përfitojnë nga masat mbështetëse

Nga SCAN TV

2 aplikime të rinj kanë mbërritur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e centraleve të mëdhenj fotovoltaikë, duke treguar interesin që investitorët kanë për energjinë diellore.

Referuar aplikimeve, fuqia e instaluar për njërin prej projekteve është 30 MW, ndërsa parashikohet të ndërtohet në fshatin Povelçë të Fierit. Aplikimi tjetër përfshin një central me kapacitet të instaluar 40 MW, në fshatin Plug të Lushnjes, teksa në rast të finalizimit të procedurave këto projekte nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë.

Së fundmi, investitorët kanë rritur interesin për ndërtimin e centraleve të mëdhenj fotovoltaikë, pasi janë një sërë kërkesash të bëra pranë MIE. Rreth 2 muaj më parë, pranë këtij dikasteri u dorëzuan edhe 2 aplikime të tjerë, për centrale me fuqi të instaluar prej 100 MW dhe 49.855 MW. Paralelisht, 2 parqe të tjerë janë në fazë edhe më të avancuar.

Më konkretisht, bëhet fjalë për centralet “Blue 1” dhe “Blue 2”, me një fuqi totale të instaluar prej 100 MW, që aktualisht po licencohen nga Enti Rregullator i Energjisë në aktivitetin e prodhimit të energjisë.

Përveç investimeve private tashmë janë shpallur fituesit në ankandet për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Spitallë me një fuqi të instaluar prej 100 MW dhe parkun e Karavastasë, me fuqi të instaluar 140 MW, që gjithsesi duket se janë larg nisjes së punimeve, ndonëse prej zhvillimit të ankandeve, ka kaluar kohë e konsiderueshme.

Energjia diellore është tejet e rëndësishme, për shkak se aktualisht mbi 99% e energjisë prodhohet nga burimet ujore, duke e bërë vendin tonë të varur tërësisht nga kushtet atmosferike.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Sa ju bindin programet ekonomike të partive për zgjedhjet e 11 majit 2025?

  • Janë të detajuara dhe të realizueshme
  • Kanë ide të mira, por mungojnë detajet e zbatimit
  • Janë premtime të parealizueshme

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video