Shqipëria Postuar më 5 Tetor 2022, 13:51

Rriten borxhet për faturat e energjisë - Gjatë 8 muajve shtohen me 1.4 miliardë lekë, faturat e palikuiduara arrijnë në 79.8 miliardë lekë

Nga SCAN TV
Rriten borxhet për faturat e energjisë - Gjatë 8 muajve shtohen

79.8 mld lekë është borxhi që konsumatorët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për fatura të papaguara të energjisë, deri në fund të gushtit, duke shënuar rritje me 1.4 mld lekë në raport me fundin e vitit 2021, ku shuma totale arrinte në 78.39 mld lekë.

Përveç konsumatorëve familjarë, vlera e faturave të papaguara ka pësuar rritje për të gjitha kategoritë e tjera më konkretisht për bizneset, konsumatorët buxhetorë dhe ata jobuxhetorë. Por, rritja e pazakontë vihet re te kategoria e biznesit, ku niveli i detyrimeve të prapambetura ka arritur në rreth 12 mld lekë, borxhi më i lartë i akumuluar në 14 vitet e fundit.

Në krahasim me fundin e vitit 2021 vlera për fatura të papaguara nga kjo kategori u rrit me 635 mln lekë. Gjithsesi, npërgjatë periudhës korrik – gusht është shënuar një ulje e borxhit, duke qenë se në qershor detyrimet e prpambetura për fatura të papaguar të energjisë nga bizneset rezultonin në  691 mln lekë.

Ndërkaq, edhe institucionet jobuxhetore, ku bëjnë pjesë kryesisht ujësjellësit rritën ndjeshëm nivelin e borxheve për energjinë, duke akumuluar një vlerë prej rreth 18.1 mld lekë, nga 15.72 mld lekë që ishte deri në fund të vitit të kaluar.

Edhe për këtë kategori, kjo është vlera më e lartë për detyrime të papaguara, të paktën që prej vitit 2010. Sa i takon faturave të institucioneve shtetërore, borxhi ka arritur në gati 5 mld lekë. Ndërkohë që, konsumatorët familjarë kanë 44.79 mld lekë fatura të palikujduara për energjinë, duke shënuar një rënie me 1.72 mld lekë përgjatë 8-mujorit, në raport me fundin e vitit të kaluar.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat