Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2023, 13:10

Reshje shiu, bore dhe stuhi – Balluku publikon raportin mbi situatën për shkak të motit

Nga SCAN TV
Reshje shiu, bore dhe stuhi – Balluku publikon raportin mbi situatën

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka njoftuar mbi gjendjen aktuale në vendin tonë pas ndryshimit të kushteve atmosferike. “Vendi ynë, prej mbrëmjes së djeshme, është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi lokale, ndërkohë që në Veri dhe Verilindje, ka pasur reshje dëbore. Të gjitha strukturat, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prej mbrëmjes së djeshme, vijojnë të jenë në terren duke ndërhyrë për normalizimin e çdo situate problematike të shfaqur” është shprehur Balluku.

Akset rrugore

  • Në qarkun e Kukësit ka pasur reshje dëbore, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Në segmentin rrugor, Dushaj - Sheshi i Trageteve - Lekbibaj, gjatë natës ka pasur reshje dëbore në lartësinë mbi 700 metra. Po kështu edhe në Qafë Thore ku janë marrë masa për hedhjen e kripës dhe pastrimin e rrugës.
  • Në aksin Ura e Zapotit - Shishtavec, ka vazhduar rënia e dëborës dhe po punohet për kriposjen dhe pastrimin e rrugës. Trashësia e dëborës shkon deri në 15 cm. Këshillohet që automjetet të cilat qarkullojnë në këtë segment të jenë të pajisura me goma dimërore për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat shkojnë deri në minus 2 gradë.
  • Në segmentin malor Vau i Dejës – Pukë - Kukës, Fushë Arrëz - Qafë Mali - Kukës ka reshje dëbore dhe po punohet për kriposjen dhe pastrimin e rrugës. Këshillohet përdorimi i gomave dimërore.
  • Në akset Bajram Curri - Valbonë, Ura Bujan - Qafë Morinë – Tropojë – Shipshan – Sopot -Kerrnaje, Bajram Curri - Fierzë ka pasur reshje dëbore e cila është pastruar dhe nuk ka probleme për qarkullimin.
  • Në akset e tjera të vendit, në rajonin qendror dhe atë jugor, ka pasur reshje shiu me intensitet, por qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Energjia

Për shkak të motit të keq janë shfaqur avari në 13 fidera, kryesisht në rajonin e Fierit, në zonat rurale. Në terren ndodhen ekipet e OSSH. Të gjitha linjat, të cilat furnizojnë me energji elektrike hidrovorët, janë në funksion të plotë. Në linjat e transmetimit dhe nënstacionet e OST nuk raportohen problematika. Sa i takon kaskadës së Drinit situata paraqitet e qetë, ku për shkak të prurjeve të konsiderueshme të liqenit të Komanit dhe Vaut të Dejës i gjithë prodhimi i energjisë mbulohet nga këto dy Hec-e. Aktualisht Fierza është në prodhim zero për të bërë të mundur akumulimin e prurjeve dhe rritjen e rezervës energjetike. Në Fierzë niveli është 274.72 m; Koman 171.17 m dhe Vau Dejes 73.63 m.

Furnizmi me ujë

Në të gjithë vendin situata e furnizimit me ujë dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura janë në kushte optimale.

Portet dhe aeroportet

Në portin e Durrësit situata paraqitet pa probleme. Në portin e Vlorës, për shkak të erës së fortë, gjatë ditë së sotme është pezulluar lundrimi i trageteve dhe mjeteve të tjera lundruese, i cili pritet të rifillojë ditën e nesërme. Në aerportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit paraqitet pa problematika dhe vonesa.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat