Shqipëria Postuar më 1 Mars 2024, 14:12

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë - Hapet tenderi 1.8 mln euro, HSH: Elektrifikim dhe rikonstruksion i trasesë në 40 km

Nga SCAN TV
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë - Hapet

Hekurudha Shqiptare po kërkon një konsulent për shërbimet mbështetëse dhe mbrojtëse, në kuadër të projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Rrogozhinë. Tenderi me fond limit 1.8 mln euro është hapur në faqen e Bashkimit Evropian, ndërsa kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 20 prill për dorëzimin e ofertave të tyre.

Ndër të tjera, në dokumentet e tenderit specifikohet se punimet për rehabilimin e kësaj linje përfshijnë rikonstruksionin dhe elektrifikimin e rreth 40 km linjë hekurudhore me një binar nga Durrësi në Rrogozhinë, teksa kohëzgjatja e kontratës me konsulentin do të jetë 60 muaj.

Pak kohë më parë për këtë projekt, Komisioni Europian akordoi një grant prej 62 milionë euro, teksa vlera totale e investimit përllogaritet në 120.5 mln euro. Linja hekurudhore e projektit të rehabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orë.

Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, që parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut, në fshatin Lin. Ai është pjesë e korridorit VIII hekurudhor, që pak kohë më parë u përfshi në rrjetin kryesor të transporit transeuropian, i njohur si TEN T, duke i dhënë prioritet financimit të tij.

Ola Mitre / SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat