Bota Postuar më 29 Dhjetor 2023, 13:15

Pse ushqimet më të shëndetshme janë më të shtrenjta - Vendet në botën e zhvilluar janë gjithnjë e më shumë të varura nga importet

Nga SCAN TV
Pse ushqimet më të shëndetshme janë më të

Të ushqehesh shëndetshëm nuk është gjithmonë e lehtë dhe varet jo vetëm nga vullneti për t'u kujdesur për veten, por edhe nga paratë në dispozicion për këto ushqime.

Raporti në Mbretërinë e Bashkuar nga Fondacioni i Ushqimit, zbuloi se ushqimet e shëndetshme janë zakonisht dy herë më të shtrenjta se ushqimet më pak të shëndetshme në bazë të kalorive. Çmimet e larta kanë ulur aftësinë e shumë familjeve për të blerë ushqime të shëndetshme, duke i shtyrë konsumatorët drejt opsioneve shumë të përpunuara. Vendet në botën e zhvilluar janë gjithnjë e më shumë të varura nga importet ndërkombëtare pasi më shumë konsumatorë kërkojnë akses gjatë gjithë vitit në fruta dhe perime tropikale ose jashtë sezonit. Kjo ka çuar në një zinxhir furnizimi global më të gjatë dhe më kompleks.

SHBA është një nga importuesit më të mëdhenj të frutave dhe perimeve të freskëta në botë, dhe është gjithashtu një eksportues i madh. Por ndërsa prodhimi i SHBA-së sipas vëllimit ka mbetur i pandryshuar gjatë viteve, importet e tij janë rritur me 129% për frutat dhe 155% për perimet gjatë 20 viteve të fundit.

Sipas një studimi të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, kostot fikse vetëm në zinxhirin e furnizimit kanë bërë që konsumatorët amerikanë të paguajnë 40% më shumë për fruta dhe perime gjatë një periudhe 10-vjeçare. Ndërkohë ekspertët theksojnë se ushqimet shumë të përpunuara – të cilat nuk prishen aq sa produktet e freskëta – po bëhen më të lira. Sipas tyre ka një lidhje shumë të ngushtë mes çmimit të ushqimit dhe sa i shëndetshëm është ai. Në të vërtetë, sasia e perimeve të blera nga familjet britanike ka rënë në nivelin më të ulët në 50 vjet, sipas studimit të Fondacionit të Ushqimit.

Një sondazh nga Unioni Kombëtar i Fermerëve të Mbretërisë së Bashkuar  zbuloi se fruta dhe perime me vlerë 22 milionë paund u shpërdoruan për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vetëm në gjysmën e parë të 2022.

Vendet me një përqindje të madhe të popullsisë së moshuar si Japonia po investojnë tashmë në teknologjitë e bujqësisë autonome. Megjithatë, automatizimi nënkupton më shumë investime në pajisje që mund të çojnë në rritje të mëtejshme të çmimeve.

Vështirësive të mësipërme i shtohen edhe dukuritë ekstreme të motit. Kina, India, Brazili, Turqia dhe Meksika janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të frutave në botë. Dhe secili prej këtyre vendeve është goditur nga ngjarje ekstreme të motit në pesë vitet e fundit. Në vitin 2023 Meksika kishte temperatura aq të larta sa qeveria po përpiqet të rrisë artificialisht reshjet e shiut. Në të njëjtën kohë, Kina përjetoi përmbytje shkatërruese dhe nxehtësi ekstreme, duke zhdukur të korrat e saj dhe duke ndërprerë zinxhirin e furnizimit.

Sipas Bankës Botërore, 3.14 miliardë njerëz në mbarë botën – rreth 42% e popullsisë së botës – nuk mund të përballonin një dietë të shëndetshme në vitin 2021. Federata Botërore e Obezitetit parashikon që, pa ndërhyrje, rreth 51% e popullsisë së botës mund të jetë e shëndoshë ose mbipeshë në dekadën e ardhshme – me një ndikim ekonomik të vlerësuar prej 4.3 trilion dollarë deri në vitin 2035.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat