Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2022, 16:57

Pse kompanitë e mëdha shqiptarë nuk publikojnë të dhënat vjetore - Nga 30 kompani, vetëm 1 subjekt me aksionerë shqiptarë i bën publike rregullisht

Nga SCAN TV
Pse kompanitë e mëdha shqiptarë nuk publikojnë të

Taksapaguesit privatë më të mëdhenj në Shqipëri me pronësi shqiptare, ngurrojnë të publikojnë të dhëna vjetore.

Ky standard zbatohet kryesisht nga organizata që janë pjesë e grupeve me kompani mëmë jashtë vendit tonë, si dhe nga biznese që operojnë në kushte të forta rregullatore si sektori i bankave, sigurimeve apo telekomunikacioneve.

Sipas kërkimeve tona, në renditjen e 30 taksapaguesve më të mëdhenj në vend për 2020, i vetmi ndër subjektet me aksionerë shqiptarë që bën rregullisht publike të dhënat vjetore, është Grupi BALFIN.

Por pse është i rëndësishëm raporti vjetor dhe cilat mund të jenë disa nga shkaqet që grupet e mëdha të biznesit mund të ngurrojnë ta bëjnë publik?

Publikimet vjetore të të dhënave tregojnë edhe kulturën e brendshme të korporatës, si qeveriset ajo, si menaxhon riskun, si kujdeset për punonjësit dhe si trajton komunitetin që e rrethon. E thënë thjesht, raporti vjetor është fleta e analizave për shëndetin e një kompanie.

Por sipërmarrësit shqiptarë duket se ngurrojnë në këtë drejtim. Kjo neglizhencë të bën të mendosh se shkak mund të jetë shkalla e modernizimit të kompanive dhe ndjekja nga ana e tyre e shembujve më të mirë ndërkombëtare në mënyrën e të bërit biznes.

Një arsye tjetër mund të jetë mungesa e dedikimit të burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, në masën që është e nevojshme për përgatitjen cilësore të raportit vjetor, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e pranuara.

Përgatitja e raportit vjetor kërkon fillimisht zbatimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar dhe publikimin në faqen e internetit të kompanisë ose si botim i shtypur. Kjo është praktikë e zakonshme për subjektet e konsoliduara jashtë vendit.

Në Shqipëri, rezulton se grupet më të mëdha të biznesit me aksionerë shqiptarë, mjaftohen me plotësimin minimal të kërkesave ligjore të raportimit financiar dhe publikimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), që e bën të vështirë analizën e plotë dhe transparencën financiare dhe të strukturës qeverisëse.

Transparenca financiare është një shqetësim që edhe kompanitë ndërkombetare të auditit që operojnë në Shqipëri e kanë shprehur disa herë.

Kjo sjell në vëmendje faktin se mund të ketë ardhur koha që të ndërmerren ndryshime ligjore dhe rregullatore, që mundësojnë një nivel të përmirësuar të transparencës nga grupet e mëdha të biznesit në vend.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat