Shqipëria Postuar më 4 Dhjetor 2025, 10:58

4 impiante të rinj për trajtimin e ujërave të ndotur - Projekti i ri i mbështetur nga Banka Botërore për mbrojtjen e bregdetit të jugut

Nga Ola Mitre

4 impiante të rinj për trajtimin e ujërave të ndotur -

Mbrojtja e bregdetit të jugut, përmirësimi i cilësisë së ujit dhe përmbushja e standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian janë në fokus të projektit të ri “Mjedis i Pastër dhe i Qëndrueshëm për Detin Blu” – CARE4BlueSea, i mbështetur nga Grupi i Bankës Botërore. Projekti, i cili synon të reduktojë ndotjen në lumin Vjosa dhe përgjatë bregdetit të Vlorës, do të sjellë investime të rëndësishme në infrastrukturën sanitare dhe menaxhimin e mbetjeve, me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitete dhe turizëm.

Sipas planit të parashikuar, CARE4BlueSea do të sigurojë: rritjen e mbulimit të shërbimit të mbledhjes së mbetjeve nga 75% në 90%, ndërtimin e katër impianteve të reja të trajtimit të ujërave të ndotura, përmirësimin e kushteve sanitare për rreth 40,500 banorë dhe fushata për ndryshimin e sjelljes ndaj ndotjes plastike dhe nxitjen e ekonomisë qarkulluese.

Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve do të udhëheqin zbatimin e projektit, ndërsa bashkitë, sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile do të pilotojnë nisma për menaxhimin e diferencuar të mbetjeve dhe reduktimin e plastikës në burim.

Gjatë aktivitetit për prezantimin e projektit, Drejtori Rajonal i Praktikës në Grupin e Bankës Botërore, Sameh Wahba, tha se qasja e integruar e CARE4BlueSea synon zgjidhje afatgjata për mjedisin, duke ndërhyrë paralelisht në turizëm, ujë, mbetje dhe përshtatje klimatike. Ndërsa ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së për mjedisin dhe klimën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat