Shqipëria Postuar më 7 Qershor 2023, 15:13

Prodhimi vendas shtrenjtohet më shumë se importi - Në tremujorin e parë të vitit çmimet u rritën me 9.4% dhe 1.2% përkatësisht

Nga SCAN TV
Prodhimi vendas shtrenjtohet më shumë se importi - Në tremujorin

Çmimet e prodhimit dhe të importit e kanë filluar vitin 2023 me rritje sipas shifrave më të fundit nga “Instituti i Statistikave” për tremujorin e parë, megjithëse çmimet e importit janë ngadalësuar. Të dhënat tregojnë për një rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit me 9.4% dhe të çmimeve të importit me 1.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Kështu, referuar shifrave, përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 129.5 pikë. Krahasuar me tremujorin e parë 2022 Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 9.4%, ndërkohë një vit më parë ky ndryshim ishte 17.0%. Po të fokusohemi te ndryshimet tremujore të dhënat tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e parë 2023 shënoi rritje me 1.5%, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Krahasuar me tremujorin e parë 2022, rritja më e madhe e çmimeve prej 18.3% vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, pasuar nga seksionet “Industri nxjerrëse” me 13.0% dhe “Industri përpunuese” me 7.0%. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 25.4%. Nga ana tjetër, rënia më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 4.0%, pasuar nga aktiviteti “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 2.8%.

Nga ana tjetër, Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e parë të vitit 2023, arriti 113.1 kundrejt vitit 2020 si periudha bazë. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” flasin për një rritje deri në 1.2% të Indeksit të Çmimeve të Importit, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 10.7%. Krahasuar me tremujorin e katërt 2022 indeksi shënoi rritje me 0.6%.

Kontributin më të madh edhe në rritjen e çmimeve të importit, ashtu si në çmimet e prodhimit, duket se e ka dhënë “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar”, të cilët kanë shënuar rritje me 6.5%. Indeksi në seksionin “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 4.9%, krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 90.6% shënoi një rritje me 0.8%.

Xhorxhina Deda/SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat