Shqipëria Postuar më 20 Tetor 2025, 13:49

Cilat janë hapat e regjistrimit të bizneseve të huaja? - Shqipëria, me procedura të shpejta dhe taksa të ulëta!

Nga Diamila Leka

Cilat janë hapat e regjistrimit të bizneseve të huaja? -

Pak ditë më parë, në Tiranë u zhvillua forumi më i madh i investimeve Shqipëri-Turqi, ndërsa nuk munguan thirrjet që investitorët e huaj të investojnë në vendin tonë. Përkundrazi, u vu theksi se Shqipëria është potenciali më i mirë për të investuar, pasi përfshin lehtësira për implementimin e bizneseve të huaja.

Por cilat janë hapat që një biznes i huaj duhet të ndjekë për t’u regjistruar dhe zhvilluar aktivitetin në vendin tonë?

Si fillim, në varësi të objektivave të kompanisë, biznesi mund të regjistrohet në një nga tre format, si shpqëri e re me ortak të huaj, si degë e një kompanie të huaj ekzistuese apo si zyrë përfaqësimi. Nga ana tjetër, dokumentacioni ndryshon sipas formës së zgjedhur, por në të gjitha rastet kërkohet akti i themelimit, statuti, të dhënat e ortakëve dhe përfaqësuesve ligjorë, si dhe dokumente identifikimi.

Në saje të digjitalizimit të proceseve, regjistrimi kryhet përmes portalit online të Qendrës Kombëtare të Biznesit, nga ku aplikuesi plotëson formularin elektronik, ngarkon dokumentet e skanuara dhe nënshkruan me firmë elektronike.

Pas përfundimit të regjistrimit, hapen llogaritë elektronike në e-Albania dhe e-Filing, dokumentohet adresa e aktivitetit dhe hapet llogaria bankare e biznesit. Në varësi të veprimtarisë, mund të kërkohen licenca apo leje të veçanta, si dhe duhet të plotësohet regjistrimi i pronarëve përfitues.

Për investitorët e huaj, ekziston edhe Leja Unike, që përfshin të drejtën e qëndrimit dhe punësimit në Shqipëri. Po ashtu, janë në fuqi marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me shumë vende të botës.

Përtej lehtësirave fiskale të cilat janë premtuese për investitorët e huaj, Shqipëria ofron edhe mbështetje për start-up-et inovative, grante nga donatorë ndërkombëtarë dhe mundësinë për të aplikuar si Investitor Strategjik, status që sjell benefite të konsiderueshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat