Shqipëria Postuar më 7 Qershor 2023, 15:08

Cilat borxhe rëndojnë më shumë mbi bashkitë? 3-mujori/ Trendi në rritje, peshën kryesore e mbajnë 6 njësi

Nga SCAN TV
Cilat borxhe rëndojnë më shumë mbi bashkitë?  3-mujori/

Ndryshe nga direktiva e qeverisë qendrore që u është dhënë 61 bashkive në vend për uljen e borxheve, në tremujorin e parë të vitit duket se nuk ka asnjë reflektim, madje detyrimet e prapambetura të vendorëve kanë pësuar një rritje të lehtë krahasuar me fundvitin 2022.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në fund të muajit mars, pushteti vendor rezulton me një stok detyrimesh prej 6 miliardë lekësh, nga 5.96 miliardë që rezultonin në fund të vitit që lamë pas.

Sa i takon zërave në veçanti, duket se bashkitë kanë ulur borxhet që lidhen me investimet publike dhe vendimet gjyqësore, ndërsa kanë shtuar detyrimet në zërin e shërbimeve. Bashkitë kanë një shifër të detyrimeve stoik për investime e cila regjistrohet në 2.8 miliard lekë; shërbime me 735 milionë lekë dhe për vendime gjyqësore 570 milionë lekë.  Zëri “të tjera”,   përmbledh rreth 1.4 miliardë lekë detyrime.

Këto katër kategori mbajnë peshën kryesore të borxheve të krijuara nga vendorët.  Por cilat janë njësitë e vetëqeverisjes vendore që kanë më shumë detyrime? Në vendin e parë renditet Bashkia Tiranë  me 1.68 miliardë lekë detyrime të prapambetura, kjo për shkak edhe se është bashkia më e madhe në vend dhe që vë në jetë projekte investimesh publike në sasi dhe në vlerë më të lartë.

Në vendin e dytë renditet Bashkia Kavajë, e cila ka qenë problematike në këtë drejtim prej vitesh, me 770 milionë lekë borxhe, e ndjekur nga Bashkia Vorë me 413 milionë lekë, Durrës me 341 milionë lekë, Pogradec me 326 milionë lekë dhe Bashkia Kamëz me 211 milionë lekë.

Njësitë e tjera të pushtetit vendor kanë shumë pak detyrime të pa paguara,  ku, Shkodra, Kolonja dhe Korça,  listohen ndër më shembulloret në këtë drejtim. Ligji i ri i hartuar nga qeveria qendrore i detyron bashkitë që të paktën 30 për qind të fondeve të trashëguara nga një vit më parë, ti përdorin për shlyerjen e borxheve.

Elisabeta Dosku/ SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat