Shqipëria Postuar më 24 Maj 2022, 13:02

Plani i Pastrimit Kombëtar: Për një sezon turistik me plazhe të pastra në të gjithë vijën bregdetare!

Nga SCAN TV

Plani i Pastrimit Kombëtar vijon në të gjitha qytetet bregdetare të vendit, për t’i dhënë dorën e fundit pastrimit të bregdetit, përpara datës 1 qershor edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë, e për t’ju përgjigjur në këtë mënyrë numrit më të lartë të turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë, me plazhe më të pastra.

Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit gjatë një vizite në zonën e Lalzit ku është një ndër pikat e identifikuara në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e bregdetit u shpreh: "Gjatë gjithë kësaj jave puna e koordinuar me Forcat e Armatosura me qëllim që të japin dorën e fundit asaj që e kemi quajtur që në nëntor Plani Kombëtar i Pastrimit në përgatitje të sezonit veror. I kemi përqendruar forcat gjatë gjithë kësaj jave këtu sepse pas 1 Qershorit parashikohet të kemi një rritje të fluksit të turistëve në bregdet dhe megjithëse është bërë një punë shumë e madhe në këto 6 muaj, praktikisht çdo ditë të vitit nuk është ndërprerë puna në gjithë territorin e  Shqipërisë, duket që ende nuk mjafton.”

Sipas kryeministrit Edi Rama, ky sezon turistik që është në prag ,do të jetë më i pastër për shkak të punës së jashtëzakonshme që po bëhet në këtë drejtim.

"Nëse nga njëra anë ne dhe bashkitë në këtë përpjekje jemi për të pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur. Është shumë e rëndësishme dhe ky është elementi i parë i Abetares së patriotizmit: Të mos ndotim shtëpinë tonë të përbashkët! Besoj që, edhe mjedisi i pastër që do të gjejnë ata që do të vijnë do të ketë ndikimin e vetë, por duhet të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, ditë për ditë, natë për natë, deri kur të përmbyllet sezoni, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë sezoni me fluksin më të madh të turistëve dhe do të jetë edhe sezoni me nivelin më të lartë të konsumit. Që do të thotë nga ana tjetër, përveçse ekonomi dhe përveçse të ardhura të rritura për vendin dhe për familjet e përfshira në këtë ekonomi, edhe më shumë mbetje. Në këtë drejtim është obligimi i përbashkët që të bëjmë maksimumin," tha ai.

Rama theksoi se, me hyrjen e forcave të ushtrisë, praktikisht përmbyllet një fazë, por do vazhdohet me fazën tjetër që nuk do të ndalet dhe mbas sezonit.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat