Shqipëria Postuar më 14 Maj 2024, 11:42

Pensionet ushqimore, prindërit nuk përmbushin detyrimet - Në 60% të rasteve, fëmijët nuk përfitojnë nga pagesa ushqimore e divorcit

Nga SCAN TV
Pensionet ushqimore, prindërit nuk përmbushin detyrimet - Në 60%

Detyrimi ushqimor është një ndër detyrimet kryesore të çdo prindi ndaj fëmijës së tij, i cili ekziston jo vetëm gjatë martesës, por i shtrin efektet ligjore edhe pas zgjidhjes së saj. Referuar raportit më të fundit të Avokatit të Popullit mbi pensionet ushqimore, ky detyrim nuk përmbushet nga pjesa më e madhe e prindërve në momentin që divorcohen.

Statistikat tregojnë që të paktën 25% e rasteve ku kërkohet zgjidhja e martesës janë familje në strukturë të të cilave ka edhe fëmijë, ku rrjedhimisht kërkohet detyrimi ushqimor.

Nga këto, 60% e vendimeve gjyqësore për pagesën e pensionit ushqimor kanë probleme me zbatimin. Pra, shumë fëmijë nuk përfitojnë nga kjo pagesë, sepse prindi debitor mund të jetë emigrant dhe nuk është realizuar ende zbatimi i vendimit nga organet kompetente, mund të jetë i punësuar në mënyrë informale dhe nuk deklaron të ardhura, si dhe raste të tjera.

Legjislacioni shqiptar nuk parashikon një shumë fikse, për të treguar se sa do të jetë detyrimi për ushqim i prindit në plotësim të nevojave të fëmijës së tij, por kjo është lënë në dorë të gjykatës. Gjithashtu, legjislacioni ynë nuk mundëson kompensimin e detyrimit ushqimor nga shteti dhe vendosjen e marrëdhënies debi-kredi, midis prindit që detyrohet dhe shtetit.

Vlera e pensionit ushqimor llogaritet duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dy prindërve, si dhe moshën dhe nevojat materiale të fëmijës për mirërritje dhe edukim. Megjithatë, në shumicën e rasteve masa e pensionit e përcaktuar nga gjykata është e pamjaftueshme për sigurimin e jetesës së fëmijës. Nëse vlera e minimumit jetik do të ishte e përcaktuar me ligj, ajo do të ndikonte në rritjen e vlerës së detyrimit ushqimor dhe rrjedhimisht në përmirësimin e cilësisë dhe standartit të jetesës së fëmijëve.

Pensioni ushqimor synon të plotësojë nevojat jetësore të fëmijës, i cili nuk ka kapacitete dhe aftësi ligjore për të punuar, deri në moshën kur ai bëhet i aftë për punë. Detyrimet financiare të prindërve që nuk kanë paguar pensionin ushqimor ndaj fëmijëve, janë të kërkueshme derisa fëmija të mbushë moshën 18 vjeç dhe në rast të kryerjes së studimeve universitare deri në përfundimin e tyre. Ky përcaktim ligjor i vendos prindërit që nuk paguajnë detyrimin ushqimor në cilësinë e debitorit.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat