Rajoni Postuar më 18 Qershor 2024, 10:28

Parashikimi i zymtë për ekonominë e Malit të Zi - Komisioni Europian: Do të ngadalësohet dhe për dy vitet e ardhshëm

Nga SCAN TV
Parashikimi i zymtë për ekonominë e Malit të Zi - Komisioni

Konsumi i lartë publik, të ardhurat e kufizuara, si dhe nevoja e madhe e ardhshme për të shlyer borxhin kombëtar janë sfidat më të mëdha të ekonomisë malazeze, rritja e së cilës do të ngadalësohet deri në vitin 2026.

Kështu thuhet në Programin e Reformave Ekonomike për Malin e Zi të analizuar nga Komisioni Europian. Të njëjtat analiza janë bërë edhe për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Kosovën, Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë.

Në dokumentin e publikuar nga mediat thuhet se Mali i Zi ka vazhduar të shënojë rritje të lartë ekonomike në vitin 2023, e cila duhet të ngadalësohet në periudhën 2024-2026. Sipas dokumentit, një sezon i suksesshëm turistik dhe konsumi i fortë personal, së bashku me një fluks të madh shtetasish të huaj, janë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike në vitin 2023, e cila vlerësohet në 5.8 %.

Pengesa kryesore ishte inflacioni i lartë, por i moderuar, ndërsa kushtet më të rrepta të financimit rëndojnë investimet. Skenari bazë i vendosur në Programin e Reformës Ekonomike të Malit të Zi parashikon një ngadalësim të rritjes reale të PBB-së në një mesatare vjetore prej 3.2% në periudhën 2024-2026, e nxitur nga rritja e kërkesës së brendshme dhe konsumit së bashku me rimëkëmbjen e investimeve. Nevojat për shlyerjen e borxhit rriten me shpejtësi, fillimisht në 2025, dhe më vonë në 2027 dhe 2029, gjë që, së bashku me kushtet strikte të financimit, rrit cenueshmërinë.

Parashikimet janë se importet mund të rriten edhe më shumë se sa pritej nëse realizohen planet e investimeve, veçanërisht ndërtimi i autostradës Bar-Boljare, ndërsa Mali i Zi mund të regjistrojë një ritëm modest të uljes së borxhit.

Komisioni Europian thekson se deficiti në vitin 2024 ushqehet kryesisht nga një rritje e fortë e transfertave sociale dhe shpenzimeve kapitale. Gjithashtu borxhi publik duhet të vazhdojë të bjerë në 61% të PBB-së në vitin 2026.

E gjithë kjo, kërkon një konsolidim fiskal më të fortë se sa parashikohet në Programin e Reformave Ekonomike. Sipas Komisionit Europian, projektet e mëdha të infrastrukturës kanë nevojë për menaxhim dhe prioritizimin më të mirë duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar fiskale.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat