Bota Postuar më 12 Qershor 2024, 12:00

Nis lufta tregtare - Komisioni Europian vendos tarifën prej 25% ndaj Kinës

Nga SCAN TV
Nis lufta tregtare - Komisioni Europian vendos tarifën prej 25% ndaj

Komisioni Europian njoftoi vendosjen e tarifave të shtuara për importin e automjeteve elektrike nga Kina që do të arrijnë në disa miliardë euro, sipas raportimeve të Financial Times. Duke iu përgjigjur kërkesës urgjente të industrisë europiane të makinave për të frenuar një fluks të makinave elektrike kineze të financuara nga shteti në Bashkimin Europian, Komisioni do të njoftojë se nga korriku do të vendosen tarifa deri në 25% të vlerës së çdo automjeti elektrik kinez.

Muajin e kaluar, SHBA ndërmori një veprim vendimtar. Administrata Biden ka rritur tarifat e saj për importet kineze të makinave me bateri nga 25% në 100%. Shitjet e automjeteve elektrike të prodhimit kinez në SHBA janë aktualisht të papërfillshme dhe me tarifat e reja ka të ngjarë të mbeten të tilla.

Ndërhyrja e SHBA-së ishte pjesë e një pakete më të gjerë masash që synojnë importet nga Kina, e cila është dënuar nga Pekini si "proteksionizëm i hapur". Në të njëjtën kohë, SHBA subvencionon industrinë e vet të automobilave përmes stimujve tatimorë që i bëjnë automjetet e prodhuara në vend më të lira.

Nga ana e tij, Bashkimi Europian duket se po ndërmerr një qasje më të moderuar, pavarësisht retorikës së ashpër. Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit shtatorin e kaluar, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi një hetim mbi importet kineze.

Ajo theksoi se tregjet globale tani janë përmbytur me makina elektrike kineze më të lira. Sipas saj çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha të qeverisë duke bërë që tregu i BE-së të deformohet. Rezultatet fillestare të këtij hetimi europian pritet të bëhen publike shumë shpejt

Për këtë arsye pritet që Komisioni Europian të informojë prodhuesit europianë të makinave për vendosjen paraprake të tarifave më të larta për importet e automjeteve elektrike kineze në 25%, nga niveli standard prej 10% i vendosur për importet e automjeteve nga vendet e treta. Megjithatë, tarifat e reja nuk do të prekin vetëm prodhuesit kinezë të automjeteve, si BYD, por edhe kompanitë amerikane që prodhojnë automjete në Kinë, si Tesla.

Komisioni thuhet se është i vendosur të vazhdojë me masën pavarësisht paralajmërimeve nga qeveria gjermane se rrezikon të ndezë një luftë tregtare jashtëzakonisht të kushtueshme me Kinën, shton raporti i Financial Times.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat