Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2024, 10:58

Ndryshon planifikimi i rezervave materiale të shtetit - Pr/ligji, përgjigje ndaj “tkurrjes” së popullsisë dhe rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Nga SCAN TV
Ndryshon planifikimi i rezervave materiale të shtetit - Pr/ligji,

Planifikimi i rezervave materiale të shtetit do të bëhet përmes një Plani Strategjik Afatmesëm dhe një Plani Vjetor. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin që synon rishikimin e legjislacionit aktual për rezervat materiale të shtetit, ku dy dokumentet bazë të planifikimit janë një risi në organizim.

Sasia e rezervave materiale të shtetit përcaktohet në përputhje me numrin e popullsisë. Duke qenë se popullsia e Shqipërisë është tkurrur ndjeshëm që prej vitit 2008 kur është miratuar ligji, shihet si i domosdoshëm riorganizimi i infrastrukturës së rezervës materiale të shtetit sipas një plani strategjik afatmesëm dhe plani vjetor konkret pune të analizuar mbi menaxhimin e mallrave, plotësimin e nevojave nisur nga ndryshimet e numrit të popullsisë, lëvizjeve demografike dhe riskun e fatkeqësive të ndryshme.

Plani Strategjik Afatmesëm përmban listën emërore të artikujve të ndryshëm ushqimorë, industrialë, mjete logjistike, karburante, sasinë minimale dhe maksimale të mallrave, si dhe politikat afatmesme për blerjen dhe shitjen e mallrave rezervë të shtetit. Ndërkohë që përveç këtyre, plani vjetor përfshin edhe burimet e financimit, shpërndarjen territoriale të rezervave materiale të shtetit, koston për ruajtjen e mallit rezervë shteti nga operatorët ekonomikë, medikamentet dhe pajisjet mjekësore, e të tjera.

Ky akt i përgjigjet nevojës për qartësimin e pozicionit të rezervës materiale të shtetit në funksion të mbrojtjes së qytetarit, por edhe përshtatjen me ndryshimet e fundit ligjore në mbrojtjen civile.

Rezervat Materiale të Shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë dhe ekonomisë së vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, luftës apo veprimeve terroriste, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, pasurinë, trashëgiminë kulturore, apo mjedisin.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat