Shqipëria Postuar më 27 Shtator 2023, 15:38

Ndryshojnë kriteret për certifikimin e turizmit detar - Lehtësohen procedurat për operatorët që ofrojnë aktivitete lundrimi

Nga SCAN TV

Qeveria ka ndryshuar disa nga kriteret për certifikimin e operatorëve të turizmit detar, duke lehtësuar këtë proces. Bëhet fjalë për të gjitha subjektet  që ofrojnë aktivitete lundrimi për qëllime turistike dhe çdo lloj veprimtarie të ngjashme, të cilët kanë detyrim ligjor të certifikohen.

Kështu, referuar udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, kërkesa me dokumentacionin përkatës për tu pajisur me certifikatë, nuk depozitohet më dorazi pranë Ministrisë së Turizmi tdhe Mjedisit, por do të depozitohet online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe shqyrtohet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike.  Nga ana tjetër, është reduktuar koha për shqyrtimin dhe kthimin e përgjigjes nga strukturat përgjegjëse.

Konkretisht, Komisioni, brenda 10 ditëve pune nga data e aplikimit  dhe ngarkimit të dokumentacionit në portalin qeveritar “e- Albania”, nis shqyrtimin e kërkesës. Sipas udhëzimit, në qoftë se kërkesa e subjektit për pajisjen me certifikatë  nuk është në përputhje me përcaktimet ligjore, Komisioni, brenda 5 ditëve pune nga data e shqyrtimit të  kërkesës,  njofton  aplikuesin nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania,  për  plotësimin  e  dokumentacionit  ose korrigjimin e pasaktësive dhe i cakton atij një afat prej 7 ditë  pune për paraqitjen e dokumentacionit përkatës kërkesës”.

Udhëzimi përcakton se “Në  përfundim  të  procesit  të  shqyrtimit,  Komisioni  i Standardizimit merr vendim për lëshimin ose jo të certifikatës “Operator i turizmit detar”. Vendimi i njoftohet kërkuesit  nëpërmjet portalit qeveritar “e -Albania  brenda  5  ditë  pune nga  data  e  marrjes  së  vendimit.

Në  rastet  kur  komisioni refuzon kërkesën për pajisje me certifikatë, vendimi duhet të jetë i arsyetuar”. Për çdo ndryshim të të dhënave të operatorit të turizmit detar, subjekti është i detyruar, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, të informojë ministrinë përgjegjëse për turizmin. Për pajisjen me certifikatë, nevojiten të dhëna të detajuara mbi përfaqësuesin ligjor dhe subjektin.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat