Bota Postuar më 2 Shtator 2024, 10:30

Ndryshimet e klimës, më pak verë, por më e mirë - Prodhimi në vendet e Ballkanit ka rënë deri në 50% këtë vit

Nga SCAN TV
Ndryshimet e klimës, më pak verë, por më e mirë -

Kristi Ceta/ SCAN

Vera e Ballkanit do të jetë më e pakët në sasi këtë vit, por gjithashtu më e mirë se kurrë, thonë vreshtarët nga Serbia, Kosova, Kroacia e Greqia. Rrushi që përdoret për verë u bë viktimë e ndryshimeve klimatike, me prodhimin që ra deri në 50%. Por nxehtësia rriti përmbajtjen e sheqerit në disa variante, duke përmirësuar cilësinë.

Valët e nxehtësisë në këtë rajon, me temperaturat që kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, ishin një katastrofë totale për të korrat e të gjitha llojeve. Nxehtësia, e kombinuar me thatësirën, ka ngarkuar rrjetin e brishtë të energjisë të rajonit dhe ka shpërdoruar furnizimet kryesore me ujë.

Megjithatë, pavarësisht kushteve të pafavorshme, prodhuesit e verës në Ballkan insistojnë se mund të dalin "fitues" nga kjo krizë. Arsyeja është se moti i ngrohtë ka rritur përmbajtjen e sheqerit në rrush, i cili është pjekur më shpejt, por do të prodhojë verë me cilësi më të lartë.

Problemi i madh me të cilin përballen prodhuesit e rajonit këtë vit është mungesa e ujit, diçka me të cilën ata nuk janë mësuar. Për shembull, Serbia zakonisht ujiste vetëm 1.4% të tokave të kultivuara (krahasuar me 17% të mesatares ndërkombëtare), pasi reshjet e shpeshta ishin të mjaftueshme për të kryer këtë shërbim.

Këtë vit, reshjet nuk erdhën kur ishin të nevojshme dhe priten humbje të mëdha të të korrave, me rendimentet që reduktohen nga 20% deri në 50% në varësi të rajonit.

Në disa zona të Kroacisë, korrja bëhet gjatë natës, pasi ata thonë se dita është tepër e nxehtë dhe fermentimi i rrushit ndodh shumë shpejt.

Edhe në Greqi, moti ekstrem ka shkaktuar humbje të mëdha në prodhimin e rrushit, që llogariten deri në 50%. Gjithashtu priten rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve për shkak të mungesës së produkteve. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e ujit dhe importet e produkteve më të lira po dëmtojnë sektorin bujqësor vendas.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat