Europa Postuar më 26 Gusht 2022, 11:08

Ndihmat për faturat e energjisë në Europë - Si po veprojnë qeveritë për të ndihmuar konsumatorët?

Nga SCAN TV
Ndihmat për faturat e energjisë në Europë - Si po

Inflacioni në rritje ka shkaktuar një krizë të kostos së jetesës në të gjithë Europën dhe qeveritë po ndërhyjnë në përpjekje për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja në dukje e pafundme e çmimeve të energjisë. Për shumë familje këto ditë, duket sikur pagat po avullojnë menjëherë pasi inflacioni rrit koston e ushqimeve dhe karburantit, pronarët rrisin qiranë dhe faturat e shërbimeve vazhdojnë të shtohen.

Inflacioni në Eurozonë arriti në një nivel të ri historik prej 8.9%, i nxitur nga rritja e kostove të energjisë. Nuk ka asnjë shenjë që kriza energjetike të përmirësohet së shpejti, pasi Europa përgatitet për mundësinë që Rusia të ndërpresë plotësisht furnizimet e saj me gaz si hakmarrje ndaj sanksioneve perëndimore për pushtimin e Ukrainës.

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë kryesisht përgjegjës për politikat e tyre kombëtare të energjisë dhe rregullat e BE-së i lejojnë ata të marrin masa urgjente për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e kostove. Por, si po veprojnë qeveritë për të ndihmuar konsumatorët?

MBRETËRIA E BASHKUAR

Britania ka një çmim tavan për kontratat më të përdorura të energjisë për familjet, por megjithatë faturat janë rritur. Për shumicën e familjeve britanike, faturat e energjisë parashikohen të rriten në rreth 3,500 paund (4,136 euro) në vit. Parashikimet më pesimiste arrijnë në 6,000 paund (7,090 euro) në vit.

Qeveria premtoi në fillim të këtij viti një zbritje të faturës së energjisë prej 400 paund (473 euro) për çdo familje. Familjet që po mundohen për të përballuar jetesën dhe kanë marrë tashmë subvencione nga qeveria, do të marrin gjithashtu një pagesë  të njëhershme prej 650 paund, mbi zbritjen prej 400 paund dhe pensionistët do të marrin një pagesë shtesë prej 300 paund (355 euro) këtë dimër. Personat me aftësi të kufizuara do të marrin gjithashtu një pagesë prej 150 paund (177 euro) për të mbuluar koston e rritur të jetesës.

ITALIA

Italia miratoi në fillim të gushtit një paketë të re ndihme me vlerë rreth 17 miliardë euro për të ndihmuar sipërmarrjet dhe familjet nga rritja e kostove të energjisë dhe e çmimeve të konsumit. Kjo paketë vjen krahas 35 miliardë eurove të buxhetuara që nga janari për të luftuar krizën e kostos së jetesës. Një projektligj I qeverisë parashikon edhe një bonus prej 200 euro për italianët me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk e merrnin më parë.

Italia ka njoftuar gjithashtu synimin e saj për të taksuar kompanitë që përfitojnë nga çmimet më të larta të energjisë dhe po promovon një kufi mbi çmimet e gazit në nivel europian për të ndihmuar në frenimin e rritjeve të çmimeve.

SPANJA

Ashtu si Italia, Spanja ka vendosur të tatojë ato kompani energjetike që përfitojnë nga rritja e çmimeve të energjisë dhe të përdorë paratë e mbledhura për të ndihmuar qytetarët që të paguajnë faturat. Madridi ka ulur tashmë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) në faturat e energjisë nga 21 për qind në 10 për qind, ndërsa ka ulur edhe një taksë ekzistuese për energjinë elektrike nga 7 për qind në 0,5 për qind.

Ashtu si Portugalia, Spanja aktualisht zbaton një kufi njëvjeçar mbi çmimet e gazit, të dakordësuar me Komisionin Europian, i cili siguron që ato të mbeten më të ulëta se mesatarja prej 50 euro për megavatorë.

FRANCA

Franca po ofron gjithashtu një pagesë për qytetarët me vetëm 100 euro, dukshëm më e ulët se në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali. Por, qeveria franceze I ka marrë masat që në “burim”, duke detyruar kompaninë shtetërore të energjisë EDF që të kufizojë rritjen e çmimit të shitjes me shumicë të energjisë elektrike në 4 për qind për një vit. Lëvizja pritet të kushtojë 8.4 miliardë euro.

Taksa e brendshme për konsumin final të energjisë elektrike është frenuar nga 22.50 euro/megavatorë në vetëm 1 euro për familjet dhe 0,50 euro për bizneset.

DANIMARKA

Në qershor, ligjvënësit danezë ranë dakord për një ndihmë monetare për të moshuarit dhe masa të tjera që arrijnë në 3.1 miliardë korona, ose 417 milionë euro, duke përfshirë një ulje të një takse mbi çmimet e energjisë. Parlamenti ka miratuar gjithashtu të ashtuquajturin "çekë ngrohjeje" me vlerë 2 miliardë korona, ose 269 milionë euro, që do t'u paguhet mbi 400,000 familjeve të goditura rëndë nga rritja e faturave të energjisë.

GJERMANIA

Gjermania, e cila është përpjekur për të frenuar varësinë e saj të madhe nga gazi rus, është zotuar të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për gazin natyror nga 19% në 7% deri në fund të marsit 2024. Qeveria miratoi gjithashtu dy paketa ndihme për një total prej 30 miliardë euro për të ndihmuar këtë vit qytetarët që përballen me rritjen e çmimeve të energjisë.

Qeveria gjermane do të ofrojë një tarifë fikse të energjisë prej 300 € për të gjithë tatimpaguesit, e cila do t'u transferohet atyre nëpërmjet fletëpagesës së punëdhënësit të tyre. Familjet që marrin mbështetje për fëmijë do të marrin 100 euro shtesë për fëmijë, ndërsa personat me përfitime sociale do të marrin një pagesë prej 200 euro. Ata që marrin asistencë për strehim do të marrin një shtesë prej 270 euro. Vendi po ofron gjithashtu bileta të subvencionuara të transportit publik.

Megjithatë, familjet gjermane do të duhet të paguajnë pothuajse 500 euro më shumë në vit për gazin për shkak të një takse të re, që do të vendoset nga tetori, duke ndihmuar shoqëritë të mbulojnë koston e zëvendësimit të furnizimeve ruse.

HOLANDA

Qeveria holandeze, e cila pret që inflacioni të arrijë në 5.2 për qind këtë vit, po u ofron familjeve një kompensim të vetëm të energjisë prej 800 euro. Po ashtu, është duke ulur TVSH-në për energjinë nga 21% në 9% dhe taksën për benzinën dhe naftën me 21%, një kufi që do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit.

GREQIA

Greqia ka shpenzuar rreth 7 miliardë euro në subvencione për energjinë dhe masa të tjera që nga shtatori i vitit të kaluar për të ndihmuar familjet, bizneset dhe fermerët të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike dhe gazit. Subvencionet mbulojnë deri 90% të rritjes së faturave mujore të energjisë për familjet dhe 80% të rritjes për bizneset e vogla dhe të mesme.

NORVEGJIA

Ndërsa çmimet e tregut të energjisë rriten në mbarë botën, norvegjezët do të paguajnë vetëm një shumë të caktuar të vendosur nga qeveria vitin e kaluar. Sipas një skeme të prezantuar nga qeveria në vitin 2021, norvegjezët paguajnë faturat plotësisht vetëm kur çmimet janë nën 70 korona, ose 7 euro për kilovatorë. Kur faturat e energjisë kalojnë atë prag, qeveria mbulon 80% të totalit. Pavarësisht kësaj, norvegjezët po hasin në vështirësi për të paguar faturat e tyre dhe qeveria po shqyrton mundësi të tjera për të ndihmuar familjet këtë dimër.

BULLGARIA

Bullgaria miratoi në muajin maj një paketë prej 2 miliardë levash (1 miliardë euro) që synon mbrojtjen e kompanive dhe konsumatorëve me të ardhura të ulëta nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë.

Që nga korriku, qeveria po ofron gjithashtu një zbritje prej 0,25 leva (0,13 euro) për litër të benzinës, naftës, gazit të lëngshëm dhe atij metan deri në fund të vitit dhe po heq akcizën për gazin natyror, energjinë elektrike dhe metanin.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat