Shqipëria Postuar më 22 Nëntor 2023, 13:53

“Ndihma ekonomike, jo më pak se 16.000 lekë/muaj” - Draft strategjia/ Aktualisht është më e ulët se kufiri i rrezikut të varfërisë 

Nga SCAN TV
“Ndihma ekonomike, jo më pak se 16.000 lekë/muaj” - Draft

Niveli i ndihmës ekonomike nuk duhet të jetë më i ulët se 16 000 lekë në muaj, sipas draft Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030. Sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetëisë dhe Mbrojtjes Sociale, aktualisht kjo pagesë është e ulët në raport me kufirin e të ardhurave në rrezik varfërie apo me pagën minimale, ndërkohë që ndonëse legjislacioni nuk përcakton minimumin e nevojave që duhen plotësuar nëpërmjet ndihmës ekonomike, ekziston kufiri i varfërisë që përfaqëson minimumin e të ardhurave që një individ duhet të disponojë për të mos u konsideruar në rrezik varfërie.

Ky nivel të ardhurash ka rezultuar 191,791 lekë/vit në vitin 2021 apo 16 mijë lekë në muaj dhe sipas draft strategjisë është orientues në vlerësimin se nivelit të ndihmës ekonomike. Por, teksa merr në konsideratë vlerat e vitit 2022, draft strategjia vlerëson se pagesa e ndihmës ekonomike rezulton ende e ulët në raport me kufirin e të ardhurave në rrezik varfërie apo me pagën minimale.

Aktualisht, ajo ndryshon në varësi të anëtarëve të familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 150% e pensionit social, që për vitin 2023 është 8,588 lekë/muaj. Kjo do të thotë se, masa maksimale që mund të përfitojë një familje e varfër është 12,882 lekë/muaj.

Ndërkaq, draft strategjia parashikon ndërmarrjen e politikave që kanë si qëllim zbutjen e varfërisë për çdo individ në nevojë nëpërmjet skemave financiare të përshtatshme, të përgjegjshme gjinore, transparente për fuqizim dhe integrim, të afta për përballimin e rreziqeve e krizave.

Për të arritur këtë qëllim parashikohet ndërmarrja e disa masave prioritare që lidhen me përmirësimin e performancës dhe transparencës së skemës, përmirësimin e riintegrimit social-ekonomik të individëve, si dhe me rritjen e aftësisë së skemës dhe përfitimeve financiare për t’iu përgjigjur në kohë vulnerabiliteteve të situatave të krizave dhe emergjencave. Gjithsesi, ndryshe nga çdo strategji dokumenti i nxjerrë për konsultim publik nuk shoqërohet me buxhetin që nevojitet për zbatimin e këtyre masave.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat