Bota Postuar më 14 Nëntor 2023, 20:27

Nafta tregtohet në mbi 82 USD - Sesioni i tretë me radhë në rritje, ndikon raporti i OPEC

Nga SCAN TV
Nafta tregtohet në mbi 82 USD - Sesioni i tretë me radhë në

Nafta po qëndron në rritje të lehtë edhe në sesionin e sotëm, duke publikuar fitime për të tretën ditë me radhë, pasi në një raport të OPEC thuhej se bazat e tregut mbeten të forta. Edhe shqetësimet se furnizimi i tregut mund të kufizohet, për shkak të sanksioneve shtesë të SHBA ndaj eksporteve ruse të naftës, po mbështesin çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në mbi 78 dollarë për fuçi.

Në raportin mujor, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës fajësoi spekulatorët për rënien e fundit të çmimeve. Gjithashtu, OPEC rriti lehtë parashikimin për kërkesën globale për naftë gjatë vitit 2023 dhe i qëndroi parashikimit relativisht të lartë për vitin 2024.

Javën e kaluar, çmimet e naftës ranë në nivelin më të ulët që nga korriku, për shkak të shqetësimeve se kërkesa mund të ulet në konsumatorët kryesorë, SHBA dhe Kinë. Çmimet e Konsumit në Kinë ranë, gjatë tetorit, në nivelet më të ulëta që nga pandemia e Covid-19, ndërsa eksportet u tkurrën më shumë se parashikimet.

Gjithashtu, në raportin e OPEC thuhet se, bisedimet në Irak për të rifilluar punën një tubacion nafte, mund të ushtrojnë presion mbi çmimet. Ministri i naftës në Irak pritet të arrijë një marrëveshje me Qeverinë Rajonale të Kurdistanit dhe kompanitë e huaja për të rifilluar prodhimin nga fushat e naftës në rajonin kurd dhe për të rifilluar eksportet përmes tubacionit Irak-Turqi. Turqia ka ndaluar rreth 450,000 fuçi në ditë të eksporteve përmes tubacionit Irak-Turqi që nga 25 marsi, pas një vendimi të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Ndër zhvillimet e tjera, Departamenti i Thesarit në SHBA u ka dërguar njoftime kompanive të menaxhimit të anijeve duke kërkuar informacion për 100 anije që dyshohet se shkelin sanksionet perëndimore ndaj naftës ruse. Ky cilësohet si hapi më i madh i Uashingtonit, që nga vendosja e një kufiri të çmimit të naftës.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat