Bota Postuar më 13 Nëntor 2023, 21:06

Nafta e nis javën në rritje - Fitimet kufizohen nga ngadalësimi i kërkesës në SHBA dhe Kinë

Nga SCAN TV
Nafta e nis javën në rritje - Fitimet kufizohen nga ngadalësimi i

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e së premtes së kaluar. Por, shqetësimet për ngadalësimin e kërkesës në Kinë dhe në SHBA kanë kufizuar fitimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 81 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi.

Të dyja kontratat u rritën me mbi 2% të premten, pasi Iraku shprehu mbështetje për marrëveshjen e OPEC+ për të ulur prodhimin, por humbën mbi 4% të vlerës gjatë gjithë javës, humbjet më të mëdha javore që nga maji.

Investitorët janë të fokusuar tashmë te ngadalësimi i kërkesës në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë, ndërsa shqetësimet për çrregullimin e furnizimit të tregut nga konflikti Izrael-Hamas janë zbehur. Javën e kaluar, Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA deklaroi se prodhimi i naftës bruto do të rritet më pak se vlerësimet e mëparshme, gjatë këtij viti, ndërsa edhe kërkesa do të ngadalësohet.

Të dhënat e dobëta ekonomike të publikuara në Kinë, që është importuesja më e madhe e naftës në botë, gjithashtu kanë shtuar frikën për ngadalësimin e kërkesës. Rafineritë në Kinë kanë njoftuar se do të blejnë më pak naftë nga Arabia Saudite, gjatë dhjetorit.

Në kahun e furnizimit të tregut, Arabia Saudite dhe Rusia konfirmuan javën e kaluar se do të vazhdojnë me reduktimin vullnetar të prodhimit, deri në fund të këtij viti, për shkak se ngadalësimi i ekonomisë globale po dëmton kërkesën për naftë. OPEC+, që përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të naftës dhe nga aleatët e tjerë me në krye Rusinë, do të takohen më 26 nëntor për të përcaktuar politikat e prodhimit.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat