Bota Postuar më 13 Nëntor 2023, 15:02

Tregu i kriptomonedhave, me dilema të mëdha - Dënimi i Bankman-Fried sjell pikëpyetje të mëdha për industrinë

Nga SCAN TV
Tregu i kriptomonedhave, me dilema të mëdha - Dënimi i

Disa orë pasi Sam Bankman-Fried, bashkëthemelues i FTX dhe një ndër pionerët e industrisë së kriptove, u dënua për mashtrim dhe pastrim parash në Nju Jork, ka reaguar edhe një nga mbështetësit e tij kryesorë në sipërmarrje të përbashkëta. “Menjëherë pas kolapsit të FTX, ne rishikuam gjerësisht procesin tonë dhe vlerësuam marrëdhënien 18-mujore të bashkëpunimit me Sam Bankman-Fried”, tha Alfred Lin, partner në Sequoia Capital. "Ne arritëm në përfundimin se ishim mashtruar dhe gënjyer qëllimisht”, shtoi ai.

Që kur bitcoin u krijua në vitin 2009, industria është lidhur në mënyra të ndryshme me tregtinë e paligjshme, siç është tregu tashmë i zhdukur “Silk Road” ose “Rruga e Mëndafshit”, apo falimentimet e biznesve, si Mt Gox në vitin 2014, i cili në kulmin e tij trajtonte pothuajse tre të katërtat e të gjithë monedhave bitcoin në qarkullim.

Në kulmin e fuqisë së tij, Bankman-Fried shihej si rruga më e mundshme drejt rifitimit të respektit nga kjo industri. Krahas Sequoia-s, FTX mburrej me mbështetës të rëndësishëm, si Tiger Global, Temasek në pronësi të shtetit të Singaporit apo edhe Plani i Pensioneve të Mësuesve të Ontarios.

Në Uashington, Bankman-Fried dëshmoi para komiteteve të kongresit, mbështeti më shumë rregullime dhe u bë një donator i madh politik. Në Bahamas, ku kishte bazën FTX, kryeministri Philip Davis e mbrojti kompaninë, ndërsa ekonomia e vendit të Karaibeve kërkonte nxitjen e ardhshme ekonomike. Ndërkohë, FTX siguroi mbështetjen e të famshëmve dhe nënshkroi marrëveshje sponsorizimi me ekipe të sporteve të ndryshme.

Por më 2 nëntor, një jurie prej 12 personash në Nju Jork iu deshën më pak se pesë orë për të arritur një marrëveshje unanime se Bankman-Fried ishte fajtor për shtatë akuza. “Sam Bankman-Fried kreu një nga mashtrimet më të mëdha financiare në historinë amerikane”, tha avokati amerikan për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, Damian Ëilliams. “Ky lloj mashtrimi, ky lloj korrupsioni është po aq i vjetër sa koha dhe ne nuk kemi durim për të”, shtoi ai.

E ndërkohë që ish-drejtuesi i FTX po shkon drejt një dënimi të gjatë me burg, industria që ai mbrojti mund të shkojë në dy drejtime: ose të rigrupohet kolektivisht dhe të përpiqet edhe një herë tjetër të pranohet në botën e financave, ose të bjerë në imazhi i kahershëm si një treg i veçantë për spekulatorët, tregtarët ditorë dhe për ata që besojnë se paraja duhet të mbetet e ndarë nga shteti.

Për John Reed Stark, ish-zyrtar i lartë i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve, vendimi i gjykatës ishte si një shkatërrim për kriptomonedhat, Ëeb 3 dhe blockchain. Por, të tjerë besojnë se industria mund ta harrojë historinë e Bankman-Fried dhe të bëhet pjesë e financave tradicionale. “Imazhi publik i kriptove është në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, por industria nuk ka përfunduar ende”, shprehet një analist.

Përfundimi i turpshëm i karrierës së Bankman-Fried pason më shumë se një dekadë mospërputhjeje me rregullat tradicionale financiare, përplasje me rregullatorët në mbarë botën dhe akuzat se kriptovalutat përdoren për të financuar terrorizmin dhe përhapjen e armëve bërthamore. Ndërkohë, fuqia kompjuterike e nevojshme për të gjeneruar asetet e kriptove si bitcoin, gjeneron një sasi karboni, të barabartë me një vend me madhësinë e Ukrainës. Falimentimi i FTX në vitin 2022 mbylli një krizë besimi që rezultoi se aktivet dixhitale të njohura si bitcoin dhe eter, humbën më shumë se gjysmën e vlerës së tyre. Firma të tjera dikur të shquara si Terraform Labs dhe Three Arroës Capital gjithashtu u shembën.

Si përgjigje, ligjvënësit dhe rregullatorët në juridiksione të shumta e rritën mbikëqyrjen e tyre të sektorit në nivele të paprecedentë gjatë vitit 2023. Rregullatorët në SHBA kanë lëshuar një sërë padish ndaj disa prej kompanive më të mëdha të kriptomonedhave që janë ende në këmbë. Ato përfshijnë Coinbase të listuar në SHBA – e cila po përballet me një padi të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve, pasi dyshohet se ka shkelur ligjet – dhe Binance, që ishte rivali më i madh i FTX.

Gjithashtu, si kunërpërgjigje ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor, autoritetet izraelite të zbatimit të ligjit mbyllën më shumë se 100 llogari të Binance dhe identifikuan rreth 150 nisma të dhurimit të kriptomonedhave të lidhura me Hamasin, duke nxitur akuza të reja për lidhjet e industrisë me financimin e terrorizmit.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat