Europa Postuar më 29 Nëntor 2022, 11:18

Më pak blerje këtë fundvit në Europë - Pavarësisht të Premtes së Zezë shifrat treguan rënie

Nga SCAN TV
Më pak blerje këtë fundvit në Europë - Pavarësisht

Europianët blenë telefona celularë, zbukurime për festat e fundvitit, pulovra dhe bizhuteri gjatë uljeve të së premtes së zezë, megjithëse perspektivat për sezonin festiv mbetën të zymta sipas shitësve.

Një studim mbi 400 biznese nga shoqata e shitësve me pakicë të Gjermanisë – HDE – nxori në pah se pak më shumë se gjysma e tregtarëve thanë se ishin të pakënaqur me shitjet e javës së kaluar, ndërsa 30% e tyre u shprehën të kënaqur.

Shitësit me pakicë në të gjithë Europën janë të shqetësuar për faktin se sezoni i përgjithshëm i tregtisë për festat e fundvitit mund të jetë më negativi në të paktën një dekadë. Kjo pasi blerësit janë reduktuar si pasojë e inflacionit dyshifror dhe rritja e faturave të energjisë. Por gjithësesi, të dhënat tregojnë se e Premtja e Zezë ka lehtësuar pak situatën.

Në Holandë, të dhënat nga transaksionet me karta krediti dhe dyqanet online treguan rritje të fortë nga viti në vit për javën e së Premtes së Zezë, megjithëse inflacioni prej 15% në vend, luajti një rol të rëndësishëm. Të dhënat nga International Card Services treguan se numrat e transaksioneve në Holandë u rritën me 12% dhe shpenzimet me 30% për javën. Shpenzimet ishin më të lartat në dyqanet e mëdha, për këpucë, veshje, ushqime e pije.

Ndërkohë në Itali, “Confcommercio”, një organ tregtar për shitësit italianë të modës, tha se shitjet në të gjithë sektorin ishin ulur me 10-15% krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas tij, e Premtja e Zezë ka humbur një pjesë të kuptimit të saj për shitësit e modës pasi nuk është më në një ditë të vetme, por shtrihet në një javë apo edhe një muaj. Ajo ende funksionon për pajisjet shtëpiake, elektronikë dhe shitjet në internet.

HDE pret që shitjet me pakicë në Gjermani të arrijnë në më shumë se 120 miliardë euro në nëntor dhe dhjetor, 4% më pak në terma realë nga periudha e një viti më parë.

Në Britani, vëllimi i pagesave të kryera të premten e zezë ​​u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën ditë në 2021. Numri i blerësve të së Premtes së Zezë në të gjithë Britaninë u rrit me 9.3% nga viti në vit, sipas të dhënave, por ishte ende në rënie me 17.5% kundrejt vitit 2019.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat