Bota Postuar më 23 Korrik 2023, 10:30

Mbetjet elektronike: Miniera e re e metaleve të çmuara!

Nga SCAN TV
Mbetjet elektronike: Miniera e re e metaleve të çmuara!

Quhet minierë urbane dhe është kufiri i fundit i riciklimit efektiv të mbetjeve elektronike: falë përdorimit të teknologjive të ndryshme, të gjitha metalet e çmuara që gjenden brenda tyre rikuperohen nga telefonat inteligjentë, kompjuterët, televizorët dhe pajisjet e ndryshme.

Ari, bakri, argjendi por edhe paladiumi dhe rodiumi përdoret për ndërtimin e pllakave elektronike dhe mikroprocesorëve. Megjithatë, këto janë procese të gjata, të shtrenjta që kërkojnë sasi të konsiderueshme energjie, deri në atë pikë sa të jenë të padobishme për ata që i përkushtohen.

Megjithatë, zbulimi i fundit i një ekipi studiuesish nga Universiteti Rice - rezultatet e studimit janë publikuar në Nature - mund t'i bëjë këto procese më të aksesueshme. Bing Deng dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përshtatur një proces industrial të njohur si "ngrohja flash Joule", që përdoret zakonisht për prodhimin e grafenit dhe materialeve të tjera super të hollë.

Materiali që do të riciklohet, pasi të bëhet pluhur, sillet menjëherë në një temperaturë prej 3,400 Kelvin (3142°C) falë një shkarkimi elektrik veçanërisht intensiv. Në këtë temperaturë metalet avullohen dhe thithen deri në një dhomë kondensimi ku ftohen dhe ngurtësohen përsëri. Materialet e ndryshme në këtë pikë ndahen dhe rikuperohen përmes proceseve të zakonshme industriale.

Ky proces, i cili konsumon relativisht pak energji, bën të mundur gjithashtu rikuperimin dhe asgjësimin e duhur të metaleve toksike si plumbi, arseniku, kadmiumi dhe zhiva, të cilat zakonisht janë të vështira për t'u ndarë. Ajo që mbetet pas avullimit është një material inert, me përqindje shumë të ulëta të substancave toksike: pas një cikli avullimi, përqendrimi i plumbit në materialin që rezulton ishte më pak se 0,05 pjesë për milion, një nivel që konsiderohet i sigurt në tokat e përdorura në bujqësi.

Kjo teknologji, pasi të jetë verifikuar efektiviteti i saj në shkallë industriale, mund të përfaqësojë një alternativë të vlefshme për nxjerrjen tradicionale të metaleve nga thellësitë e Tokës ose Oqeaneve. Vlerësohet se mbi 40 milionë tonë mbetje elektronike përfundojnë në landfille çdo vit dhe vetëm 20% e tyre riciklohen.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat