Bota Postuar më 29 Maj 2023, 11:16

Marrëveshje për tavanin e borxhit në SHBA - Miratimi në kongres dhe senat pritet të mërkurën

Nga SCAN TV
Marrëveshje për tavanin e borxhit në SHBA - Miratimi në

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kevin McCarthy, parashikoi se shumica e kolegëve të tij republikanë do të mbështesin marrëveshjen për të pezulluar tavanin e borxhit prej 31.4 trilion dollarësh që ai negocioi në fundjavë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden.

Disa orë më vonë, presidenti demokrat tha se ishte i bindur se legjislacioni do të kalonte të dy dhomat e Kongresit për të shmangur falimentimin e qeverisë së SHBA. I pyetur nëse kishte ndonjë pengesë, presidenti u përgjigj: "Asnjë".

Profesoresha e shkencave politike, Sarah Binder, e Universitetit George Ëashington, u shpreh për Reuters se marrëveshja për të rritur tavanin e borxhit të SHBA ofron mjaftueshëm që të dyja palët të kenë gjasa të fitojnë miratimin si në Dhomë ashtu edhe në Senat.

Por, McCarthy dhe Biden do të jenë nën presion për ta shndërruar atë në ligj përpara se të mbarojë koha. Thesari ka parashikuar që SHBA-së do t'i mbarojnë fondet për të paguar faturat deri më 5 qershor, gjë që mund të sjellë një falimentim të paprecedentë me pasoja të tmerrshme për ekonominë e SHBA.

Anëtarët e rrymës së ashpër republikane për Lirinë e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se do të përpiqeshin të pengonin miratimin e marrëveshjes në Dhomën e Përfaqësuesve në një votim që pritet të bëhet mërkurën. Por McCarthy hodhi poshtë kërcënimet e opozitës brenda partisë së tij, duke thënë se "mbi 95%" e republikanëve të Dhomës ishin "shumë optimistë" për marrëveshjen.

Për të fituar pozitën e kryetarit, McCarthy ra dakord t'i mundësonte çdo anëtari të Dhomës së Përfaqësuesve të kërkonte një votim për ta rrëzuar atë, duke u bërë  potencialisht i prekshëm ndaj largimit nga republikanët e pakënaqur. Nga ana e tij lideri demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries tha se priste mbështetjen e demokratëve për marrëveshjen, por nuk pranoi të vlerësonte se sa nga anëtarët e partisë së tij do të votonin për të.

Disa agjenci të vlerësimit të kredisë kanë vënë në shqyrtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një rënie të mundshme, e cila do të rriste kostot e huamarrjes dhe do të zvogëlonte pozicionin e saj si shtylla kurrizore e sistemit financiar global.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat