Shqipëria Postuar më 1 Korrik 2025, 10:09

Si po i “ushqen” Shqipëria turistët? - Studimi/ Rritet deri në 50 % konsumi, presion mbi prodhimin dhe çmimet

Nga Elisabeta Dosku

Si po i “ushqen” Shqipëria turistët? - Studimi/ Rritet

Turizmi po bëhet një nga faktorët më transformues të tregut ushqimor në Shqipëri. Me mbi 11.7 milionë hyrje të huaja në vitin 2024  sipas shifrave të INSTAT, sektori turistik jo vetëm që kontribuon në rritjen e PBB-së, por gjithashtu ndikon ndjeshëm në strukturën, volumin dhe sezonalitetin e kërkesës ushqimore, veçanërisht në zonat bregdetare dhe ato me potencial të agroturizmit.

Referuar një studimi të bërë nga “ALTAX”, konsumi i ushqimit nga turistët ka disa veçori strukturore që ndikojnë direkt në zinxhirin agro- ushqimor. Së pari koncentrim i lartë sezonal (korrik–shtator) ku konsumi rritet në mënyrë eksponenciale në zonat turistike në bregdet dhe zona të vizitueshme malore.

Në disa pika, si Dhërmi, Sarandë, Velipojë, Shëngjin apo Theth, popullsia multiplikohet me 3–6 herë, duke rritur ndjeshëm kërkesën për produkte të freskëta dhe përballueshmëri logjistike.

Fokus është kryesisht në ushqimet e freskëta dhe tradicionale, kryesisht lokale, i kërkuar në restorante të profilizuara në gastronomi shqiptare.

Konsumi ushqimor ditor për një turist arrin mesatarisht dy deri në 2.5 herë më shumë sesa konsumi për frymë i një banori vendas në të njëjtat zona (bazuar në analiza të tregut HORECA, Shoqata e Gastronomisë, 2024).

Vlerësohet se gjatë muajve të sezonit, konsumi total ushqimor në vend rritet me 10–15% në nivel kombëtar, por me përqendrim të lartë në qarqet Vlorë, Durrës, Lezhë, Sarandë dhe Shkodër, ku rritja mund të jetë 30–50% krahasuar me muajt jashtë sezonit.

Studimi nxjerr në pah se këto zona përballen me kapacitete të kufizuara logjistike dhe mungesë planifikimi të furnizimit, që sjell ngarkesë të rrjeteve tregtare lokale;  Rritje të çmimeve të produkteve bazë, Episode boshllëqesh furnizimi.

Kjo rritje e menjëhershme krijon jo vetëm presione mbi ofertën dhe çmime më të larta, por edhe rrit rrezikun e deformimeve të tregut lokal, sidomos kur nuk ka rezervë prodhimi ose infrastrukturë për grumbullim të shpejtë.

Sipas studimit, pa logjistikë efikase, kontraktim paraprak dhe diversifikim të burimeve të prodhimit, turizmi mund të krijojë tensione për aksesin në ushqim të popullsisë rezidente, veçanërisht në zona të thella ku mallrat transportohen nga jashtë.

Në disa raste, produkte vendase zëvendësohen nga importe afatshkurtra, duke krijuar presion mbi bilancin tregtar dhe duke humbur vlerën e shtuar të potencialit lokal.

Studimi nënvizon se turizmi në Shqipëri është një katalizator i rritjes së konsumit dhe i transformimit të kërkesës, por në mungesë të përgatitjes strukturore, mund të sjellë përçarje në furnizimin lokal, inflacion sezonal dhe presion social.



 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat