Shqipëria Postuar më 30 Janar 2026, 09:56

Qumështi për bebe “Aptamil” tërhiqet nga tregu - AKU merr njoftim nga RASFF. Marka e dytë me përmbajtje toksike brenda muajit

Nga Elisabeta Dosku

Qumështi për bebe “Aptamil” tërhiqet nga tregu - AKU

Një tjetër markë e qumështit formulë për bebe ka rezultuar me praninë një toksine shumë të rrezikshme për shëndetin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin e ardhur nga Sistemi RASFF, pasi gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant.

Konkretisht bëhet fjalë për produktin APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu. AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

Kjo është hera e dytë që evidentohet kjo problematikë në qumështin për foshnje brenda këtij muaji. Pak ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tërhoqi nga tregu lotin e formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g,  pas njoftimit të bërë nga kompania prodhuese Nestle si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë

Ndërkohë paralelisht kanë reaguar edhe disa subjekte që tregtojnë këto marka qumështi duke informuar konsumatorët që nëse kanë qumësht në gjendje ta kthejnë sërish pas dhe të mos e konsumojnë. 

Gjithashtu, AKU informon se nga verifikimet në terren është konstatuar se është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorin në supermarketet ku është tregtuar ky produkt, ndërsa produktet në fjalë shkojnë për asgjësim apo kthimin në vendin e origjinës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat