Shqipëria Postuar më 29 Janar 2026, 12:28

Çfarë roli do të ketë Banka e Zhvillimit tek eksportet? - Fuqizohet “Made in Albania”, akses në kreditim dhe ndërmjetësim financiar

Nga Elisabeta Dosku

Çfarë roli do të ketë Banka e Zhvillimit tek eksportet? -

Qeveria shqiptare synon të fuqizojë eksportet shqiptare dhe të nxisë prodhimin vendas përmes disa mekanizmave.

Një ndër mekanizmat kryesore lidhet me instrumentet financiare, duke qenë se eksportuesit janë të ekspozuar ndjeshëm ndaj kursit të këmbimit dhe vitet e fundit kanë pësuar humbje të konsiderueshme, duke bërë që të kenë më shumë nevojë për likuiditet dhe akses në kreditim.

Për këtë qëllim, Banka e Zhvillimit, ligji i së cilës u miratua vitin e kaluar, pritet të luajë një rol kyç jo vetëm në financimin dhe modernizimin e industrisë shqiptare, por do të shërbejë edhe si agjenci eksporti për sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për eksportuesit.

Përmes saj do të shfrytëzohen edhe instrumentet e Bashkimit Europian për nxitjen e prodhimit vendas dhe aksesin e markës “Made in Albania” në tregjet europiane dhe të Ballkanit Perëndimor.

Referuar ligjit, Banka Shqiptare e Zhvillimit është krijuar me qëllimin që të mbështesë  ndërmarrjet shqiptare që nuk kanë qasje të mjaftueshme në financim nga tregu tradicional dhe të cilat shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e kredive ose investimeve për zgjerim dhe inovacion, duke pasur një rol plotësues ndaj financimeve të ofruara nga institucionet tregtare.

Konkretisht Banka Shqiptare e Zhvillimit do të japë kredi, ofrojë garanci dhe do të investojë në letra me vlerë të borxhit dhe kapitalit, duke ndihmuar në realizimin e projekteve me rëndësi të veçantë për ekonominë. Përmes skemave financiare, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të nxisë dhe mbështesë projekte në nivel qendror dhe vendor, duke u fokusuar në sektorët strategjikë.

Kjo Bankë do të ofrojë financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mikrondërmarrjet, si dhe start up-et, me qëllim që ato të rrisin produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe të jenë më të pranishme në tregjet ndërkombëtare. Banka Shqiptare e Zhvillimit synon të mbështesë eksportet shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit. Gjithashtu, një nga objektivat e kësaj Banke do të jetë përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të shërbejë edhe si ndërmjetëse financiare e Bankës Evropiane të Investimeve dhe institucioneve të tjera të tilla ndërkombëtare, për sa i përket kanalizimit të kredive dhe fondeve që ato japin për realizimin e projekteve publike në nivel qendror dhe vendor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat