Shqipëria Postuar më 11 Maj 2025, 12:44

Barazia gjinore dhe zgjedhjet në Shqipëri!

Nga Dorian Koça

Barazia gjinore dhe zgjedhjet në Shqipëri!

Që nga viti 2008, legjislacioni shqiptar garanton të paktën 30 për qind përfaqësim të gjinisë më pak të përfaqësuar në pozicione vendimmarrëse politike dhe publike. Kjo u pasqyrua edhe në Kodin Zgjedhor, të miratuar po atë vit. Megjithatë, ndryshimi i Kodit Zgjedhor në vitin 2012 bëri përmirësime të mëtejshme për të përforcuar zbatimin e kuotës minimale për gratë kandidate në zgjedhjet e përgjithshme në 30 për qind. Të paktën një e treta e kandidateve/ëve të gjinisë më pak të përfaqësuar duhet të nominohet në secilën listë.

Duke marrë parasysh paqartësinë e Kodit për renditjen e grave në listat e kandidateve/ëve, KQZ-ja interpretoi se në çdo tre emra të kandidateve/ëve (duke filluar nga numri një i listës) të paktën një duhet të jetë grua.

Neni 163, i cili ka të bëjë me përllogaritjen dhe shpërndarjen e votave në bazë të një formule, garanton edhe kuotën gjinore prej 30 për qind në listën e kandidateve/ëve të zgjedhur. Sanksionet për mosrespektimin e kuotave gjinore deri në vitin 2020 përbëheshin nga gjoba, të cilat u konsideruan joefektive, pasi disa parti politike preferonin të paguanin gjobat në vend që të respektonin kuotat.

Në vitin 2020, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor u ndryshuan sërish duke çuar në përmirësime shtesë. Kodi Zgjedhor futi një dispozitë të posaçme duke vendosur një kuotë gjinore prej 30 për qind për të gjitha nivelet e administratës zgjedhore (neni 4). KQZ ka autoritetin të monitorojë dhe mbështesë zbatimin e parimeve të barazisë gjinore nga të gjithë aktorët e përfshirë. Një zhvillim tejet pozitiv në vitin 2020 ishte një sanksion i ri, i cili i jep KQZ-së autoritetin të refuzojë listat e kandidateve/ëve të partive politike që nuk respektojnë kuotën gjinore, duke zëvendësuar sistemin e mëparshëm të sanksionimit me anë të gjobave.

Një zhvillim shumë pozitiv në vitin 2020 ishte një sanksion i ri, i cili i jep KQZ-së autoritetin për të refuzuar listat e kandidatëve të partive politike që nuk respektojnë kuotën gjinore. Deri atëherë, sistemi i gjobave ishte i vetmi sanksion që mund të zbatohej për partitë politike që nuk respektonin kuotat gjinore. Dhe në fakt, në disa raste, disa parti politike preferuan të paguanin gjobën në vend që të respektonin kuotat, siç ndodhi gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, ku KQZ gjobiti dy parti politike për mosrespektimin e kërkesave për kuotat gjinore në listat e tyre të kandidatëve.

Kodi Zgjedhor synon gjithashtu të trajtojë pabarazinë gjinore në zgjedhje përmes marrjes së masave për reduktimin dhe eliminimin e votimit për të tretët dhe votimit familjar. Për më tepër, ligji kërkon që autoritetet të mbledhin dhe publikojnë statistika për zgjedhëset/it të ndara sipas gjinisë, gjë që mundëson analizën gjinore të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe marrjen e masave për të nxitur pjesëmarrjen në të ardhmen.

Këto zhvillime në legjislacion kontribuan në rezultate pozitive gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të fundit të prillit 2021. Partitë kryesore politike u përpoqën të rrisin dukshëm numrin e grave si kandidate në fushatë dhe kuota e detyrueshme për gratë u tejkalua në shumicën e listave të kandidateve/ëve. Në mesin e deputete/ëve të zgjedhur në Kuvend, 90 ishin burra (64.3%) dhe 50 gra (35.7%), numri më i madh i grave në historinë e tij. Kryetarja e Kuvendit është grua dhe që nga gushti 2024, 9 nga 17 ministra janë gra (53%).

Me ndryshimet e fundit të vitit 2024 në Kodin Zgjedhor, janë futur parashikime për të garantuar kuotën gjinore prej 30 për qind. Në mënyrë më specifike, sipas nenit 67/6, për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një në çdo tre emra të kandidateve/ëve të dyja listave (listës shumëemërore me renditje të fiksuar dhe shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes) i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

Po ashtu, sipas nenit 163/2, kandidatet/ët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secalin kandidat. Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i kësaj liste, një në çdo tre emra i përket gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja/i e/i tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përket gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që këto të fundit kanë marrë. Qëllimi i kësaj dispozite është të sigurojë zbatimin e kuotës gjinore në nivelin e rezultatit zgjedhor në listat preferenciale dhe jo vetëm në nivelin e përbërjes së listave.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Shkurt 2025, nuk kishin të bënin me dispozitat mbi përfaqësimin gjinor.

Sondazh

Poll
Shqipëria 11 Maj Dorian Koça

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore!

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore rregullohen me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike. Ky i fundit rregullon edhe aspekte të përgjithshme......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat