Shqipëria Postuar më 11 Maj 2025, 12:00

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore!

Nga Dorian Koça

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore!

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore rregullohen me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike. Ky i fundit rregullon edhe aspekte të përgjithshme të financimit të partive politike. Burimet kryesore të financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë:

- fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore: ka tre lloje të fondeve publike për partitë politike në bazë të rezultateve në zgjedhje:

 për veprimtaritë vjetore: çdo vit në Buxhetin e Shtetit përcaktohet një fond i posaçëm që shërben si ndihmë financiare publike për partitë politike, që shpërndahet në përputhje me dispozitat e nenit 19 të Ligjit për Partitë Politike.

 për veprimtaritë e lidhura me zgjedhjet: partitë politike që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave në shkallë vendi në zgjedhjet më të afërta pararendëse të të njëjtit lloj, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje.

 Kompensimi financiar pas zgjedhjeve: një rillogaritje e fondeve bëhet pas zgjedhjeve nga KQZ-ja sipas një formule të bazuar në mandatet e fituara nga partitë politike. Gjithashtu, subjektet zgjedhore që nuk kualifikohen për fonde publike përpara zgjedhjeve (kanë marrë më pak se 1 për qind të votave në zgjedhjet e fundit të të njëjtit lloj) mund të marrin kompensim pas zgjedhjeve, nëse marrin jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Kandidatet/ët e pavarur nuk kanë të drejtë për fonde publike, në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare.

- të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit; (të tilla si kuotat financiare të anëtarësisë)

- dhurimet jopublike për subjektin zgjedhor dhe kandidatet/ët e tij, në vlerë monetare, në natyrë ose shërbime të dhëna.

Dhurimet mund të bëhen për: a) subjektin zgjedhor; dhe b) kandidatet/ët e tij (përfshirë kandidatet/ët e pavarur) vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas, ku përfshihen edhe shtetas/e shqiptarë/e që banojnë jashtë territorit të vendit. Dhurimet që u jepen kandidateve/ëve konsiderohen si kontribute për partinë politike për të cilën ata kandidojnë, nëse nuk janë kandidatë të pavarur. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t'i japë një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatet/ët e tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose vlera ekuivalente në natyrë ose shërbime.

 Dhurimi i fondeve jopublike mbi 50 mijë lekë duhet bërë vetëm në një llogari bankare të posaçme të hapur nga subjekti zgjedhor. Subjektet zgjedhore deklarojnë llogaritë bankare të përdorura për donacione kur regjistrohen në KQZ (sipas kërkesave të regjistrimit si subjekte zgjedhore në përputhje me nenin 67 të Kodit) dhe nuk mund të përdorin asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushatën zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë. Në formularin e deklarimit përfshihet edhe autorizimi për KQZ-në dhe të ngarkuarit e saj për të marrë drejtpërdrejt nga banka të dhëna për të gjitha transaksionet e llogarisë. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhurueses/it, huadhënëses/it ose kredidhënëses/it.

 Donacionet nën 50 mijë lekë mund t'u bëhen edhe drejtpërdrejt kandidateve/ëve në llogarinë bankare që përdorin normalisht. Por, nëse planifikojnë të pranojnë dhurime për fushatën e tyre me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë, janë të detyruar të hapin llogari bankare të posaçme për të pranuar dhurimin e fondeve jopublike. Në këtë rast duhet të deklarohen edhe llogaritë e individit, kur subjekti zgjedhor i kandidatit regjistrohet si i tillë 70 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, sipas nenit 67 të këtij ligji.

 Të njëjtat detyrime si më sipër vlejnë edhe për kandidatet/ët e pavarur të propozuar nga zgjedhëset/it.

- huatë ose kreditë e marra nga partitë politike ose kandidatet/ët e tyre, përfshirë kandidatet/ët e pavarur: Këto janë burime të tjera për financimin e fushatës elektorale dhe zbatohet legjislacioni përkatës për huamarrjen dhe kredidhënien. Në asnjë rast vlera e një huaje ose kredie nuk duhet të kalojë shumën 1 milion lekë ose vlerën ekuivalente në natyrë apo shërbime.

Ndalimet në lidhje me financimin e zgjedhjeve

Sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidateve/ëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. Neni 91 i Kodit Zgjedhor jep parashikime të hollësishme për kufizimet në lidhje me ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.

Po ashtu, ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik (apo çdo aksionar i tij) që:

 ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 3 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave të partneritetit publik privat;

 ushtron veprimtari në fushën e medias;

 ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;

 ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.

Personat fizikë ose personat juridikë, që i kanë bërë dhurime një subjekti zgjedhor apo kandidateve/ëve të tij në zgjedhje, nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milionë lekësh, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik. Donatorëve u kërkohet të nënshkruajnë një deklaratë ku thuhet se nuk janë në asnjë nga rrethanat e parashikuara më sipër dhe se mbajnë përgjegjësi personale për deklarim të rremë.

Shpenzimet, raportimi dhe monitorimi i veprimtarive financiare të subjekteve zgjedhore dhe kandidateve/ëve

Pavarësisht shumës së dhurimeve të marra, shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatet/ët e tij, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 3 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidatja/i i propozuar nga zgjedhëset/it nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.

Shpenzimet e fushatës zgjedhore duhet të dokumentohen në përputhje me legjislacionin fiskal. Partive politike u kërkohet të miratojnë rregullore të brendshme për menaxhimin e fondeve që marrin kandidatet/ët e tyre. Subjektet zgjedhore janë gjithashtu përgjegjës për të koordinuar informacionin financiar dhe aktivitetet e kandidateve/ëve gjatë fushatës, si dhe u kërkohet të miratojnë rregulla të brendshme dhe sanksione për raportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve nga kandidatja/i te subjekti zgjedhor, në mënyrë që të mos ketë donator/e, huadhënës/e apo kredidhënës/e që tejkalon kufirin prej 1 milion lekësh ose vlerën ekuivalente në natyrë ose shërbime.

Subjektet zgjedhore, përfshirë kandidatet/ët e pavarur, janë të detyruara të paraqesin një raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja. Raporti duhet të përfshijë informacion të hollësishëm për të gjitha burimet e marra dhe të përdorura për zgjedhje, duke përfshirë një regjistër të donatorëve, huadhënësve/eve dhe kredidhënësve/eve. Neni 92/3 i Kodit Zgjedhor parashikon udhëzime të hollësishme mbi informacionin në burimet financiare dhe arkivat e subjekteve zgjedhore. Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, KQZ-ja krijoi një Sistem të Raportimit Financiar Online, duke lehtësuar raportimin, zbulimin, aksesin në informacionin financiar dhe duke përmirësuar transparencën e financimit të fushatës.

KQZ-ja mbikëqyr respektimin e rregulloreve të financimit të fushatës, përmes monitorimit të fushatës për të mbledhur informacion. Pas kësaj, KQZ-ja cakton auditues për të shqyrtuar këto raporte financiare dhe publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit. Kodi Zgjedhor parashikon një gamë të gjerë sanksionesh për shkeljet e financimit të fushatës, duke përfshirë gjoba nga 50 000 deri në 5 000 000 lekë, konfiskim të fondeve publike dhe pezullim të financimit publik deri në pesë vjet.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat