Shqipëria Postuar më 14 Maj 2025, 12:29

87 kallëzime për shkelje zgjedhore - Prokuroria e Përgjithshme vijon verifikimet

Nga Hamit Yzeiraj

87 kallëzime për shkelje zgjedhore - Prokuroria e Përgjithshme

Deri më datë 12 maj pranë Gjykatave të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar gjithsej 87 kallëzime penale për vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Nga këto kallëzime janë hapur 34 procedime penale dhe janë arrestuar në flagrancë 7 persona.

Kallëzimet janë depozituar në disa qytete kryesore të vendit, duke përfshirë Tiranën me 21 raste, Dibrën me 15 raste, Fierin me 8 raste, Elbasanin me 11 raste, dhe të tjerat të shpërndara në Kukës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Sarandë dhe Berat. Sipas burimeve zyrtare, njoftimet për këto vepra penale janë raportuar kryesisht nga Policia Gjyqësore, SPAK, subjekte politike dhe qytetarë.

Prokuroria e Tiranës kryeson listën me më shumë arrestime, konkretisht 4 persona të ndaluar në flagrancë për shkelje të ligjit zgjedhor. Arrestime të tjera janë regjistruar në Elbasan, Lezhë dhe Fier. Po ashtu, në Elbasan është lëshuar urdhër ndalimi për 4 persona të tjerë.

Ndërkohë, 6 kallëzime penale janë dërguar për kompetencë në SPAK, të cilat përfshijnë raste nga Prokuroritë e Durrësit, Lezhës, Dibrës, Fierit dhe Shkodrës.

Nga gjithë kallëzimet e depozituara, për 12 prej tyre është vendosur mosfillimi i hetimeve. Këto përfshijnë 5 raste në Tiranë, 2 në Kukës, 2 në Dibër dhe raste të tjera në Sarandë, Fier dhe Elbasan.

Aktualisht, hetimet për pjesën tjetër të kallëzimeve janë ende në fazë verifikimi, ndërsa disa prej tyre janë dërguar për gjykim. Prokuroritë kanë theksuar se po vijon puna për verifikimin e çdo rasti, me qëllim sigurimin e një procesi zgjedhor të ndershëm dhe transparent.

Raportimi i detajuar mbi ecurinë e procedimeve penale pritet të pasqyrohet në vijim, ndërsa organet e drejtësisë kanë nënvizuar angazhimin maksimal për të garantuar zbatimin e ligjit në çdo rast të identifikuar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat