Shqipëria Postuar më 14 Maj 2025, 11:32

Shqipëri-BE, 63.48 mln euro për punësimin e të rinjve - Marrëveshja, synohet akses në tregun e punës

Nga Ernilda Luzi

Shqipëri-BE, 63.48 mln euro për punësimin e të rinjve -

Në Kuvend është depozituar për ratifikim marrëveshja e financimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për punësimin e të rinjve.

Referuar dokumentit, programet operacionale do të fokusohen në reformat dhe përmirësimin e politikave, si digjitalizimi, me qëllim automatizimin dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe bizneseve, si dhe veprimtarisë së administratës publike, eficienca e energjisë, punësimi, arsimimi dhe aftësitë e të rinjve. Marrëveshja e financimit, për programin operacional shumëvjeçar për punësimin e të rinjve, për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), përbëhet nga një paketë dokumentesh dhe kushtesh të veçanta.

Ndërkohë, kostoja e përgjithshme e llogaritur e këtij programi është 63.48 milionë euro dhe kontributi maksimal i Bashkimit Evropian në këtë program gjithashtu është vendosur 50 milionë euro dhe 13.48 milionë euro ofrohen, si bashkëfinancim i qeverisë shqiptare.

Shqipëria gjatë procesit të integrimit në Evropë mbështetet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës Financiare të Paraanëtarësimit IPA, me qëllim për të ndihmuar në miratimin dhe zbatimin e reformave. Asistenca IPA III (2021- 2027) jepet në përputhje me kuadrin e politikës së zgjerimit, në partneritet me përfituesin. Periudha e ekzekutimit e kësaj marrëveshjeje financiare do të fillojë me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe do të përfundojë 12 vjet pas kësaj date.

Sipas dokumentit, programi synon të adresojë sfidat që kanë të rinjtë në aksesin në mundësi punësimi dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, me qëllim uljen e mungesës së perspektivave dhe parandalimin e emigrimit.

Më tej theksohet se, objektivi kryesor i programit operativ të BE-së për punësimin e të rinjve është të ofrojë mundësi cilësore punësimi, trajnimi ose arsimimi të rinjve të papunë dhe joaktivë, të regjistruar në zyrat e punësimit, brenda një periudhe katërmujore nga regjistrimi. Ky program do të përqendrohet kryesisht në grupin e të rinjve NEET (të rinjtë që nuk janë në arsim, punë ose trajnim), të moshës 15-29 vjeç, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe inaktivitetit në këtë kategori.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat