Analiza Postuar më 13 Maj 2025, 12:17

Studentët zgjedhin teknologjinë, bujqësia "braktiset"/ Rritet numri i diplomimeve në arisimin e lartë për vitin shkollor 2023-24

Nga Eldiona Serani

Studentët zgjedhin teknologjinë, bujqësia "braktiset"/

Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi statistikat e diplomimeve, tregojnë për një rënie të numrit të të diplomuarve gjatë vitit shkollor 2023-24. Gjatë kësaj periudhe janë diplomuar në arsimin zyrtar 82,712 nxënës dhe studentë. Rënia e numrit të diplomuarve vërehet në të gjitha nivelet e arsimit.

Këto të dhëna janë të ndikuara kryesisht nga ndryshimet demografike dhe plakja e popullsisë, por edhe si pasojë e emigrimeve për qëllime studimi. Sipas shifrave të përpunuara diplomimet e nxënësve në arsimin 9-vjeçar, gjatë vitit shkollor 2023-24, kanë rënë me 2.7%, atyre në arsimin e mesëm kanë rënë me 1.3%, ndërsa të diplomuarit në arsimin e lartë kanë pësuar një rritje të lehtë me 0.7%.

“Scan Intel” ka analizuar se në cilat fusha studimi është regjistruar rënia më e madhe e numrit të të diplomuarve.

Shifrat tregojnë se rënien vjetore më të madhe për vitin akademik që lamë pas e kanë regjistruar të diplomuarit në fushën e "Bujqësisë, pyjeve, peshkimit dhe veterinarisë" me 18.7%.

Po ashtu një rënie e numrit të të diplomuarve vërehet dhe në fusha si “Shkenca natyrore dhe matematikë dhe statistikë” me 18%; dhe  “Shkenca arsimi” me 7.8%.

Ajo që bie në sy është se në vitin akademik 2023-24, rritjen më të lartë të numrit të të diplomuarve e ka patur fusha “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me rreth 9.8%, ndjekur nga “Shëndet dhe Mirëqenie” me 5.9%. Rritje më e madhe e numrit të të diplomuarve vërehet në fushëm e studimit të TIK me 14.1% ku është një sektor me shumë treg pune dhe paga të larta. Gjithashtu rritje kanë pasur diplomimet dhe në "Shkencat sociale, gazetari dhe informacion" me 2.4%.

Në analizën e “Scan Intel” janë përfshirë gjithashtu edhe fushat e preferuara sipas gjinisë gjatë vitit akademik 2023-2024. Gjatë kësaj periudhe të diplomuarat femra rezultojnë më shumë në numër se meshkujt me 65.8%.

Femrat dominuan në Shkenca sociale, gazetari dhe informacion me 83.0%, Shkenca të edukimit me 81.7% dhe Shëndet e mirëqenie me 78.9%

Ndërkohë meshkujt dominuan në Shërbime me 67.3, Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim me 63.1%, Teknologji informacioni dhe komunikimi (TIK) me 56.2%.