Europa Postuar më 30 Prill 2025, 15:35

Ndërprerjet e energjisë “paralizojnë” ekonominë iberike - Kompanitë spanjolle e portugeze llogarisin kostot pas normalizimit të situatës

Nga Kristi Ceta

 

Ndërsa fabrikat, dyqanet dhe hotelet në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë u rikthyen gradualisht në normalitet, pas një ndërprerjeje masive energjie, shoqatat e biznesit dhe kompanitë filluan të llogarisnin kostot.

Lobuesi kryesor i bizneseve në Spanjë, CEOE, vlerësoi se ndërprerja do të shkurtonte 1.6 miliardë euro, ose 0.1%, nga Produkti i Brendshëm Bruto, duke vënë në dukje se rafinerive të naftës mund t'u duhet një javë ose më shumë për të rifilluar plotësisht funksionimin e tyre, ndërsa disa furra industriale ishin dëmtuar.

Industria e mishit vlerësoi dëme deri në 190 milionë euro pasi frigoriferët humbën energjinë, ndër faktorë të tjerë. Ndërprerja zgjati më shumë se 12 orë në disa zona të Spanjës.

Shumica e dyqaneve ushqimore nisën të funksiononin normalisht, tha shoqata e sektorit ANGED, por ende po vlerësonin se sa nga prodhimet e tyre ishin prishur ose sa biznes kishin humbur kur sistemet e pagesave me karta u fikën dhe bankomatët nuk funksiononin.

Shumë njerëz nxituan të blinin ujë, ushqim të konservuar, drita dore dhe radio me bateri për të qëndruar të informuar, por jo të gjithë mund të gjenin para “cash”. Banka e Spanjës tha se pagesat me kartë dhe bankomatët rifilluan funksionimin.

Ndërsa industria përballej me disa nga sfidat më të mëdha, në fabrikën e Volkswagen në rajonin e Navarrës, ku punojnë 4,600 persona, prodhimi rifilloi vetëm në orën 14:30 të së martës. Fabrika kishte humbur prodhimin e rreth 1,400 makinave që nga e hëna, tha një zëdhënës i kompanisë.

Marka spanjolle SEAT e Volkswagen tha gjithashtu se prodhimi në fabrikën e saj në Barcelonë, ku punojnë rreth 14,000 persona, nuk u rikthye plotësisht në funksionimin normal pasi furnizimi me energji rifilloi në orën 1 të mëngjesit sipas orës lokale.

Sektorë të tjerë, siç është industria e rëndësishme e turizmit në Spanjë, mbetën kryesisht të padëmtuar.

"Për momentin, nuk po marrim ndonjë raport të rëndësishëm në lidhje me anulimet", tha kreu i shoqatës së hoteleve të Spanjës CEHAT, megjithëse ndërprerja e telekomunikacionit kishte krijuar një "situatë shumë të komplikuar".

"Shumë të ftuar u strehuan në hotele. Ne kishim një kapacitet të mjaftueshëm dhe madje arritëm të ndihmonim disa agjenci publike që kërkuan ndihmë për akomodimin e njerëzve", tha ai.

Duke shpresuar për një zgjidhje të shpejtë të ndërprerjes së energjisë, disa kompani mbajtën stafin në ambientet e punës për orë të tëra, ndërsa të tjera, si prodhuesi industrial Thune Eureka në Spanjën veriore, i dërguan punëtorët në shtëpi më herët.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 30 Prill Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë muaj negativisht pasi ka pësuar në mënyrë të vazhdueshme zbritje të kuotës teksa është blerë këtë mëngjes me 86.1 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat