Shqipëria Postuar më 30 Prill 2025, 13:31

Më shumë qytetarë po sigurojnë jetën - AMF: Në tremujorin e parë 2025, kontratat e lidhura u rritën me 31%

Nga Ledina Elezi

Më shumë qytetarë po sigurojnë jetën - AMF: Në

Tregu i sigurimeve ka përjetuar rritje në tremujorin e parë të 2025, si për sa i përket volumit të arkëtimeve, ashtu edhe numrit të kontratave të sigurimit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – mars 2025 kapën vlerën 5.5 miliardë lekë, rreth 370 milionë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, numri total i kontratave të sigurimit të lidhura arriti mbi 347 mijë në fund të marsit, me një rritje prej gati 12% vlerësuar me 3 muajt e parë të vitit 2024.

Në periudhën janar-mars të këtij viti, tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 90.45% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës vetëm 9.48% dhe risigurimi me një përqindje tepër të vogël.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.56% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.44% të totalit të tregut.

Pavarësisht se sigurimet e jo-jetës mbizotërojnë, numri i kontratave të sigurimit të jetës ka regjistruar një rritje më të lartë se sigurimi i jo-jetës. Konkretisht, numri i kontratave në sigurimin e jo-jetës pati një rritje me 9.6% në fund të marsit, ndërsa për sa i takon sigurimit të jetës, numri i kontratave arriti mbi 42 mijë duke shënuar një rritje me përafërsisht 31% vlerësuar me janar – mars 2024. Kjo tregon që gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të sigurojnë jetën e tyre.

Si rrjedhojë, edhe primet e sigurimit vullnetar të jo-jetës kanë pasur një rritje më të vogël se primet e jetës. Kështu, primet e sigurimit vullnetar të jo-jetës patën një rritje me afro 6% kundrejt muajit janar – mars 2024, ndërkohë që primet nga sigurimet e jetës arritën në rreth 530 milionë lekë, ose gati 13.8% më shumë.

Aktualisht, në Shqipëri operojnë gjithsej 9 kompani sigurimi të cilat ofrojnë shërbimet e sigurimit të jetës dhe jo jetës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat