Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2024, 14:26

Kuvendi, 18 rekomandime për Bankën e Shqipërisë - Miratohet rezoluta, në fokus integrimi në SEPA dhe subjektet financiare jo banka

Nga SCAN TV
Kuvendi, 18 rekomandime për Bankën e Shqipërisë - Miratohet

Brenda një periudhe një vjeçare, Banka Qendrore duhet të plotësojë 18 rekomandime të përcaktuara nga Kuvendi. Është miratuar nga anëtarët e Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, draft-rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.

Gjatë fjalës së saj, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, listoi të gjitha rekomandimet lidhur me politikat monetare dhe stabilitetin financiar, duke u ndalur veçanërisht në anëtarësimin e vendit tonë në sistemin evropian të pagesave.

“Banka të monitorojë në vazhdimësi tregun e këmbimeve valutore dhe të reagojë në kohën e duhur ndaj çrregullimeve potenciale në funksionimin e këtyre tregjeve. Të prioritizojë veprimet për anëtarësimin sa më parë të vendit në tregun unik të pagesave në euro, si pjesë e rëndësishme e angazhimit në drejtim të procesit të integrimit evropian që do të sjellë përfitime për ekonominë dhe do të nxisë zhvillimin e projektit Instant Payment. Të vazhdojë zbatimin e masave, të ndërmarra në kuadër të paketës së deeuroizimit, si instrumente të nevojshme për zbutjen e rreziqeve potenciale që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit.”

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi hapësirat ekzistuese ligjore për institucionet financiare jo banka.

“Ne ndodhemi mbas një skandali, ku një grup shumë i madh qytetarësh që akoma nuk e dimë numrin, është përfshirë në të ashtuquajturin skandal të mikrokredive. Nga analiza dhe dëgjesa që bëmë në këtë komision, ne kuptuam që ekziston një hapësirë ligjore për sa i përket disa elementëve që lidhen me menaxhimin e kësaj situate. Ne besoj, kemi nevojë si parlament që të ndërmarrim një nismë, e cila mund të bëhet me një komision të veçantë ose mund të bëhet me një analizë të këtij komisioni, për të analizuar të gjithë bazën ligjore që sot ekziston.”

Ledina Elezi/SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat