Shqipëria Postuar më 28 Prill 2023, 10:05

Kosova dhe Shqipëria kryesojnë rajonin - Instituti i Vienës: Këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, dy vendet me rritjen ekonomike më të lartë

Nga SCAN TV
Kosova dhe Shqipëria kryesojnë rajonin - Instituti i Vienës:

"Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare" ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e pranverës për vitin 2023 duke parashikuar një rritje të ekonomisë për vendin tonë jo vetëm për vitin aktual, por edhe në dy vitet e ardhshme. Referuar të dhënave të buletinit të fundit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të zgjerohet me 3.3% këtë vit, ndërkohë në projeksionet e kaluara ekonomia e Shqipërisë pritej të rritej me 3%. Nga ana tjetër, sipas raportit, për vitin 2024 dhe 2025 të dhënat janë akoma edhe më pozitive, me një rritje që shkon deri në 3.8% dhe 4% përkatësisht.

"Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare" parashikon se Shqipëria dhe Kosova pritet të kenë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin aktual, por edhe për dy vitet e ardhshme. Theksojmë se për Kosovën Prodhimi i Brendshëm Bruto, për vitin 2023, pritet të zgjerohet me 3.6%, ndërkohë kjo rritje për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3.9% dhe 4.1%.

Instituti i Vienës sipas parashikimeve, thotë se vendi me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, përgjatë vitit 2023 pritet të jetë Serbia, me vetëm 1.5%. Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ndërkohë projektohet të zgjerohet këtë vit me 1.6%, ajo e Bosnje Hercegovinës me 1.7% dhe e Malit të Zi me 2.9%.

Parashikimet për Shqipërinë janë pozitive edhe sa i përket çmimeve të konsumit, por për vitin aktual mbeten të pandryshuara, krahasuar me projeksionet e vjeshtës. Për vitin 2023, sipas Institutit të Vienës, është parashikuar që norma e inflacionit të zbresë në 4%, ndërsa për vitin 2024 dhe 2025 parashikohet në 3% dhe 2.5%. Sipas të dhënave, Shqipëria do jetë vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor për vitin 2023. Mesatarja e vendeve të rajonit sa i përket normës së inflacionit parashikohet në 8.7%, ndërkohë që vendi i cili do të regjistrojë normën më të lartë është Mali i zi dhe Serbia, deri në 10%. Nga ana tjetër, treguesi i papunësisë për Shqipërinë sipas raportit vlerësohet në 10.5% për vitin 2023 duke mos pësuar ndryshime nga projeksionet e kaluara.

Xhorxhina Deda/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat