Shqipëria Postuar më 28 Prill 2023, 09:40

Marsi rikthen tendencat rënëse të kreditimit - Nga ana tjetër, vijon rritja huasë për blerje banese

Nga SCAN TV
Marsi rikthen tendencat rënëse të kreditimit - Nga ana

Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e fundit mbi nivelin e huave të reja të disbursuara gjatë muajit mars sipas qëllimit të përdorimit dhe monedhës gjatë periudhës. Sipas shifrave, gjatë muajit të tretë të vitit, flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 27.99 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shohim që niveli i huave të reja gjithsej ka pësuar një rënie të lehtë me vetëm 153 milionë lekë, nga 28.14 miliardë lekë që llogaritej për marsin e 2022-shit. Nëse e shohim sipas së njëjtës periudhë të tetë viteve të fundit, ky është niveli I dytë më i lartë i kreditimit, me një diferencë të lehtë me shkurtin e vitit të kaluar.

Vlera e kreditimit gjithsej për muajin është shpërndarë midis biznesit, që ka marrë 15.62 miliardë lekë, 8.8 miliardë lekë ndërkohë janë marrë nga individët dhe 3.5 miliardë lekë të tjera nga korporatat jofinanciare publike. Kreditimi drejt koroportave jofinaciare publike ka shënuar një rritje rekord historik krahasuar me të njejtën periudhë që nga viti 2016. Në marsin e vitit të kaluar niveli I kreditimit  fiksohej në vlerën  6 milionë lekë, ndërkohë krahasuar me të gjitha periudhat mujore të tetë viteve të fundit vlera e marsit të këtij viti renditet në vendin e pestë.

Huatë e reja në monedhën vendase për individët mbizotërojnë ndaj asaj në valutë. Nga huatë e reja për financimin e individëve, 4.7 miliardë lekë ka qenë kredi e re në monedhën vendase, 4.1 miliardë lekë në euro dhe vetëm 3 milionë lekë në dollarë. Përsa i takon financimit të bizneseve, huatë e reja në monedhën vendase kanë qenë në vlerën 6.8 miliardë lekë, 8.7 miliardë lekë në euro. Shohim në këtë mënyrë që korporatat private ose bizneset, ndryshe nga individët, vijojnë të preferojnë ndjeshëm kreditë në euro, krahasuar me monedhën vendase. Ndër të tjera, kjo favorizohet nga euroizimi i lartë i ekonomisë dhe sektorit financiar dhe nga influenca e euros në marrëdhëniet tregtare të vendit.

Nëse ndalemi të shohim vlerën e huave për blerje banesash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka regjistruar rritje. Kështu, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 8.8 miliardë lekë të huave të reja për individë, 5.1 miliardë rezultojnë për blerje banese përgjatë muajit shkurt 2023, në të gjitha valutat. E thënë ndryshe më shumë se gjysma e vlerës së huave të reja që janë marrë nga individët përgjatë marsit, kanë qënë me qëllim për blerje banese. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë ishte 4.9 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 4%.

Ilda Methasani/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat