Kosova Postuar më 29 Gusht 2022, 09:51

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për dokumentet dhe reciprocitetin!

Nga SCAN TV
Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për dokumentet dhe

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrel, e cilëson marrëveshjen Kosovë-Serbi për dokumentet e udhëtimit si një zgjidhje evropiane. Vuҫiq tha se me njohjen e dokumenteve të Prishtinës nuk nënkupton njohjen e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë europiane, Josep Borel.

Shefi i diplomacisë evropiane përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetitpër përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi edhe të dërguarin e SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Dy emisarët e dialogut Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajҫak, gjatë kësaj jave, qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me udhëheqësit shtetërorë dhe ata partiakë për çështjen e dokumenteve dhe të targave dhe thanë se palët u zotuan se do të shmangin dhunën më 1 shtator, kur parashihej që të hynte në fuqi reciprociteti i Kosovës për dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi se "Reciprociteti është parimi që na bën të jemi vend normal. Jo përkundër dikujt, por për hir të vetvetes”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, tha se pranimi i dokumenteve të udhëtimit të Kosovës nuk nënkupton që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  kishte deklaruar më parë, se  ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.

Sa u përket targave të makinave presidenti Vuҫiq tha se "ende nuk është arritur një marrëveshje me Kosovën, por se ende ka një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”.

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat