Shqipëria Postuar më 1 Korrik 2024, 13:12

Kontrasti i të dhënave demografike - Nga Gjirokastra, në Shkodër! Çfarë të rejash solli Censi i popullsisë?

Nga SCAN TV
Kontrasti i të dhënave demografike - Nga Gjirokastra, në

Në harkun kohor të 12 viteve, popullsia e Shqipërisë ka pësuar një rënie të ndjeshme me rreth 420 mijë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Konkretisht, popullsia banuese në Shqipëri, sipas llogaritjeve të rezultateve të Censit, rezulton të jetë 2,402,113 persona. Ndërkohë, në Censin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, popullsia banuese ishte 2,821,977 persona. Kjo rënie përshtatet edhe me trendin e tre dekadave dhe projeksionet e popullsisë për vendin tonë. Nëse analizojmë dinamikën e censeve të zhvilluara gjithsej në vendin tonë  vëmë re se numri më i lartë i popullsisë është regjistruar në Censin e vitit 1989, me 3.2 milionë banorë.

Ky reduktim i theksuar ka sjellë edhe një ndryshim të dukshëm në strukturën demografike të vendit. Mosha mesatare e popullsisë tani ka arritur në 42.5 vite nga 35.3 vite që ishte në publikimin e Censit të vitit 2011. Pra, konstatohet një rritje prej 7 vitesh e cila tregon për një plakje të shpejtë të popullsisë në shkallë kombëtare.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar shpërndarjen e popullsisë në 12 qarqet e vendit. Sipas të dhënave zyrtare konstatojmë se rreth 1/3 e popullsisë shqiptare banon në qarkun e Tiranës. Ky përqendrim i lartë tregon se Tirana vazhdon të jetë qendra kryesore e vendit, duke tërhequr gjithnjë e më shumë njerëz. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri, me rreth 10%, i ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9.7%. Në kontrast, Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët të popullsisë, me vetëm 2,6% dhe 2.5% respektivisht.

Por si ka ndryshuar popullsia në më shumë se një dekadë? Gjatë periudhës 2011-2023 vihet re një trend rënës i popullsisë në të gjitha qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shifrat tregojnë se Shkodra dhe Kukësi renditen në krye të kësaj rënie. Konkretisht, qarku i Shkodrës ka pësuar një reduktim të popullsisë  prej 28.3%, ndërsa Kukësi ka humbur 27.3% të popullsisë së tij. Në të kundërt, rënia më e vogël është regjistruar në qarkun e Beratit, me vetëm 0.7%.

Ndërkohë, Tirana, megjithëse ka parë një rritje të popullsisë, kjo rritje ka qenë tepër modeste, vetëm 1.2%, kryesisht për shkak të migracionit të brendshëm. Kjo rritje në kryeqytet, krahasuar me rënien e popullsisë në qarqet e tjera, ka çuar në një rritje të përqindjes së popullsisë që banon në kryeqytet, nga 26.8% në vitin 2011 në 31.6% në vitin 2023.

Por, kjo është panorama e re qe ne marrim sipas Censit 2023, pasi nëse  analizojmë të dhënat e INSTAT përsa i perket publikimit " Popullsia në 1 Janar 2023" shifrat nxjerrin Gjirokastrën si qarkun me reduktimin më të lartë të popullsisë dhe jo Shkodrën. Konkretisht, gjatë periudhës 2011-2023, INSTAT tregon se në Gjirokastër popullsia ra me 32%, ndërsa Shkodra ka humbur 16.1% të popullsisë. Gjithashtu, në renditje vihet re se Berati po ashtu ka patur një rënie të konsiderueshme me 25.5% ndjekur nga Kukësi me 20%.

Armela Duka/SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 1 Korrik

Si ka  nisur ky muaj për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur këtë muaj negativisht teksa ka humbur pikë këtë mëngjes duke u blerë sot me 92.4 leke  dhe duke u shitur me 93.5 lekë sipas kursit......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat