Shqipëria Postuar më 20 Prill 2023, 11:46

Koncesioni i dializës blihet nga arabët - Diaverum shet “zinxhirin” e klinikave, kontrata 10-vjeçare përfundon në 2025-ën

Nga SCAN TV
Koncesioni i dializës blihet nga arabët - Diaverum shet

Koncesioni i dializës do të ndryshojë sërish pronar. Kompania mbajtëse e kontratës Diaverium, ka shitur zinxhirin evropian të klinikave të dializës te M42 e Abu Dhabi, një ndërmarrje e përbashkët e kujdesit shëndetësor e krijuar rishtazi nga fondi shtetëror Mubadala Investment Company dhe firma e inteligjencës artificiale G42. Transaksioni u njoftua përmes një deklarate nga palët, por nuk bënte publike vlerën e shitjes.

Kjo është hera e dytë që koncesioni dializës do të ndryshojë pronar, pas atij të vitit 2019 kur Diaverum bleu aksionet nga “Spitali Amerikan” dhe shoqëria “Evita”. Koncesioni i dializës është 1 nga 4 kontratat, që transferojnë një pjesë të shërbimeve shëndetësore tek kompanitë private.

Objekti i kësaj kontrate koncesioni është ofrimi i shërbimit të hemodializës pranë spitaleve rajonale Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë, Korçë, teksa një një pjesë e këtij shërbimi ende sot ofrohet nëpërmjet paketave shëndetësore dhe shërbimit publik spitalor. Kontrata e nënshkruar në vitin 2016 ka një kohëzgjatje 10-vjeçare, ndërsa çmimi i shërbimit për një seancë dialize është 11,203 lekë, pa TVSH.

Për periudhën 2016 - 2021 janë likuiduar nga buxheti i shtetit rreth 3.97 miliardë lekë, ndërsa mbeten për t’u likuiduar për vitet e mbetura rreth 3.24 miliardë lekë, duke qenë se vlera totale e saj është 7.21 mld lekë apo 60 mln euro. Ndërkohë që, një raport i organizatës “Together for Life” vlerësoi se ky koncesion ka përfituar rreth 412 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për seanca që nuk janë kryer.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat