Europa Postuar më 28 Korrik 2022, 12:34

Koncesionet bregdetare në Europë - Si janë rregullat në fuqi në vendet europiane për plazhet?

Nga SCAN TV
Koncesionet bregdetare në Europë - Si janë rregullat në fuqi

Rregullat për sa i përket koncesioneve bregdetare në fuqi në disa vende europiane, janë të ndryshme. Por si janë koncensionet e pronave shtetërore detare në vende si Kroacia, Franca, Greqia, Porrtugalia dhe Spanja?

Portugali, regjimi i koncesioneve të pronave shtetërore detare rregullohet nga legjislacioni i zakonshëm.

Legjislacioni portugez në veçanti bën dallimin midis licencimit dhe koncensionit. E para është e nevojshme për pushtimin e përkohshëm të plazheve me objekte të lëvizshme për qëllime turistike dhe për kryerjen e garave sportive dhe lundrimit. Pra po flasim për tenda, çadra, shezllone, kasolle për varkat e vogla, dhoma zhveshjeje, kioska dhe dushe.

Licencat mund të jepen për një maksimum prej 10 vjetësh, duke marrë parasysh, veçanërisht, periudhën e amortizimit të investimeve. Në fund hiqen strukturat e çmontueshme dhe prishen instalimet fikse, përveç rastit kur administrata vendos t'i restaurojë ato pa pagesë. Koncesioni, nga ana tjetër, është i nevojshëm për ndërtimin e banesave të qëndrueshme që nuk hiqen lehtë dhe i dedikohen zhvillimit të aktiviteteve turistike e të ngjashme. Kohëzgjatja maksimale e koncesioneve portugeze për plazhet është 75 vjet.

Ndërsa në Francë kemi të bëjmë me mini koncensione dhe tendera publikë.

Sipas ligjit francez, aksesi në plazhe dhe përdorimi i tyre duhet të jetë i lirë dhe falas. Ky kriter është i zbatueshëm edhe për koncesionet e plazheve, të cilat duhet të ruajnë në çdo rast lëvizjen dhe përdorimin e lirë të bregdetit nga publiku për një zonë me përmasa të konsiderueshme përgjatë gjithë bregut të detit. Dhënia dhe rinovimi i koncesioneve, që iu janë besuar prefektëve, i nënshtrohen tenderëve publikë bazuar në krahasimin e kërkesave për koncesione. Kohëzgjatja e koncesioneve të plazhit nuk mund të kalojë dymbëdhjetë vjet.

Koncesionari është i autorizuar të zërë një pjesë të hapësirës së dhënë për instalimin e strukturave dhe shfrytëzimin e aktiviteteve që lidhen me shërbimin publik të larjes. Të paktën 80% e gjatësisë së vijës bregdetare nën koncesion duhet të mbetet e lirë nga çdo strukturë, pajisje ose instalim. Në plazhe, lejohen vetëm pajisjet dhe strukturat e lëvizshme ose të transportueshme, të cilat nuk kanë asnjë element që mund t'i ankorojë në mënyrë të qëndrueshme në tokë. Gjithashtu, çdo instalim i bërë në plazh duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të lejojë, në fund të periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes, kthimin e zonës në gjendjen fillestare.

Greqi bëhet përjashtim për hotelet që janë përballë plazheve

Legjislacioni kombëtar grek për autorizimet për kryerjen e aktiviteteve turistike në plazhe parashikon caktimin e koncesioneve në përfundim të procedurave të përzgjedhjes që sigurojnë paanshmëri dhe transparencë. Tenderët zhvillohen në të gjitha rastet kur dhënia e autorizimit është e nevojshme, me përjashtim të hoteleve që ndodhen përballë plazhit, për të cilat pozicioni specifik në plazh justifikon një shmangie. Këto hotele, në fakt mund të marrin, në kushte të caktuara, një autorizim vjetor për të kryer biznesin e tyre.

Spanja ka përfshirë në Kushtetutë regjimin ligjor të pronës detare që në vitin 1978, ndërsa legjislacioni në fuqi është i orientuar në favor të karakterit publik të bregdetit dhe kundër privatizimit të pronës shtetërore. Plazhet, në Spanjë, përkufizohen si "të lira" dhe për këtë arsye nuk mund të jenë objekt koncesioni. Më së shumti është sipërfaqja e brendshme e pronës shtetërore, ajo që i paraprin plazhit, e cila mund t'i nënshtrohet autorizimit për “zënie me koncesion”.

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=YV7kOiMpFjY

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat