Bota Postuar më 26 Mars 2024, 10:31

Kina akuzohet për sulme kibernetike - SHBA, Britani: Miliona qytetarë, të sulmuar nga hakerat e mbrojtur nga Pekini

Nga SCAN TV
Kina akuzohet për sulme kibernetike - SHBA, Britani: Miliona qytetarë,

Një fushatë e gjerë spiunazhi informatik e kryer nga një grup i sponsorizuar nga shteti kinez, që ka sulmuar miliona persona, si politikanë, akademikë, gazetarë dhe sipërmarrje. Është kjo akuza e bërë nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Zelandës së re të cilat kanë vendosur sanksione duke fajësuar Pekinin dhe luftën e tij kibernetike kundër tre vendeve.

Londra ishte e para që hapi kutinë e Pandorës, duke akuzuar hapur Pekinin se qëndronte pas sulmit të zgjatur kibernetik kundër arkivave të Komisionit Zgjedhor Britanik - i kryer duke filluar nga gushti 2021 sipas asaj që u raportua verën e kaluar dhe që fillimisht i atribuohej individëve të paspecifikuar. Vetëm pak orë më vonë, Shtetet e Bashkuara akuzuan shtatë shtetas kinezë për kryerjen e sulmeve kibernetike që synonin anëtarë të Kongresit, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, kandidatë dhe kompani amerikane.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI kanë folur për sulme të përhapura që zgjasin prej 15 vjetësh, në të cilat miliona llogari online të amerikanëve u bllokuan ndërsa komploti kinez synonte zyrtarët amerikanë. Dhe së bashku me ‘ta, Zelanda e Re gjithashtu raportoi se kishte lidhur një grup kinez të mbështetur nga shteti me një sulm kibernetik ndaj shërbimeve parlamentare që ndodhi tre vjet më parë. Sipas autoriteteve amerikane, disa aktivitete hakerimi të kryera nga shtatë kinezët ishin të suksesshme dhe komprometuan rrjetet dhe llogaritë e e-mail-it. Ndër pretendimet më alarmante të bëra nga Shtetet e Bashkuara është se hakerët kanë shënjestruar llogaritë e e-mail-it të disa zyrtarëve të paidentifikuar të fushatës që nga maji 2020.

Reagimi i Pekinit është i ashpër, sipas të cilit akuzat nuk janë të bazuara në fakte, duke i konsideruar ato shpifje krejtësisht të shpikura dhe të dëmshme”. Në një deklaratë për shtyp, ambasada kineze në Londër u bëri thirrje aktorëve në Mbretërinë e Bashkuar që të ndalojnë përhapjen e informacionit të rremë dhe të ndalojnë sulmin e tyre politik të vetëorganizuar kundër Kinës.

Në SHBA, drejtori i FBI-së, Christopher Wary nënvizoi se përderisa Kina vazhdon të synojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, agjencia do të vazhdojë të dërgojë mesazhin e saj të qartë, domethënë se spiunazhi kibernetik nuk do të tolerohet dhe ne do të ndiqen penalisht ata që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e vendit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat