Bota Postuar më 9 Qershor 2024, 10:58

Kërcënimi bërthamor rus po e humb fuqinë - Perëndimi po e intensifikon mbështetjen për Ukrainën në fushëbetejë

Nga SCAN TV
Kërcënimi bërthamor rus po e humb fuqinë - Perëndimi po

Rusia, edhe një herë tjetër po përdor retorikën e armëve të saj bërthamore. Javën e kaluar, presidenti Vladimir Putin paralajmëroi vendet e NATO-s që të mos lejojnë Ukrainën të përdorë municione perëndimore për të goditur Rusinë. Udhëheqësi rus paralajmëroi për “pasoja serioze” dhe tha se aleatët e Ukrainës duhet të jenë të vetëdijshëm për “territorin e vogël” dhe “popullsinë e dendur” të shumë vendeve europiane.

E nëse deklarata e Putin nuk është shumë e qartë, Dmitry Medvedev vazhdoi me një kërcënim më të mprehtë. Ish-presidenti i Rusisë citoi fjalët e Putinit dhe shtoi: “Përdorimi i armëve bërthamore taktike gjithashtu mund të llogaritet keq. Ky do të ishte një gabim fatal.”

Medvedev ka një reputacion si një njeri që është i dhënë pas pijeve të forta. Por Moska gjithashtu ka ndërmarrë veprime kohët e fundit për të nënvizuar kërcënimet e saj, me trupat ruse që kryejnë stërvitje bërthamore pranë kufirit me Ukrainën. Këto lëvizje nuk i kanë penguar disa vende të NATO-s, përfshirë SHBA-në, nga ndërmarrja e hapit të fundit, duke miratuar përdorimin e armëve të tyre brenda kufijve rusë.

Lëvizja e fundit nga vendet e NATO-s pasqyron një përzierje mes besimit dhe nervozizmit. Nga aspektin pozitiv, SHBA dhe aleatët europianë janë më pak të shqetësuar për kërcënimin se Rusia do të përdorë armët bërthamore sesa ishin 18 muaj më parë.

Në këndvështrimin negativ, aleatët janë gjithnjë e më të shqetësuar për situatën në fushën e betejës. Gatishmëria e re për të lejuar Ukrainën të sulmojë pozicionet e artilerisë armike dhe bazat e raketave – edhe nëse ato janë brenda Rusisë – pasqyron shqetësimin se Ukraina po e humb gradualisht luftën. Si rezultat, mbështetësit perëndimorë të Kievit ndihen të detyruar të tolerojnë një nivel më të madh rreziku për të mbajtur Ukrainën në luftë.

Gatishmëria e perëndimit për të marrë përsipër këtë nivel rreziku përfaqëson një ndryshim dramatik të të menduarit që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt të vitit 2022. Në atë kohë, vendet e NATO-s ishin të shqetësuara për t'i dhënë Ukrainës çdo armë sulmuese.

Sigurimi i çdo kapaciteti të ri për Kievin – si raketa me rreze të gjatë veprimi, tanke, avionë luftarakë – është shoqëruar me debate të zgjatura në perëndim, ndonjëherë të acaruara, dhe me kërcënime bërthamore nga Rusia. Por sa herë që vendet e NATO-s kanë kapërcyer një prag, Kremlini ka dështuar të përballojë kërcënimet bërthamore. Dhe kjo e ka bërë më të lehtë për aleancën perëndimore të ndërmarrë hapin tjetër.

Por, fakti që SHBA dhe aleatët e saj nuk janë më aq të shqetësuar për qëndrimin bërthamor të Rusisë nuk do të thotë se ata e hedhin poshtë plotësisht këtë kërcënim. Në të vërtetë, ka disa zyrtarë perëndimorë që mbeten shumë të shqetësuar për potencialin e përshkallëzimit të përfshirë në autorizimin e përdorimit të armëve, të ofruara nga perëndimi, për të goditur territorin rus.

Shqetësimi i tyre është se Rusia do ta konsiderojë këtë hap të fundit, si përshkallëzimin e një lufte nga perëndimi dhe mund të bëjë atë që e konsideron si një përgjigje simetrike - duke përfshirë kundërsulme në territorin e NATO-s. Kjo mund ta çojë Rusinë dhe NATO-n shumë afër konfliktit të drejtpërdrejtë që liderët perëndimorë gjithmonë kanë kërkuar ta shmangin. Doktrina ushtarake ruse besohet se supozon që Moska nuk mund të mbizotërojë në një luftë konvencionale me perëndimin, dhe kështu të parashikojë përdorimin e hershëm të armëve bërthamore.

Pavarësisht deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron, për vendosjen eventuale të trupave franceze në tokën ukrainase, aleanca perëndimore ende po përpiqet të ruajë vijën e saj të qartë kundër përfshirjes së drejtpërdrejtë në një konflikt me Rusinë. Kur Irani kohët e fundit hodhi një breshëri raketash ndaj Izraelit, SHBA dhe aleatët e saj u përfshinë drejtpërdrejt në rrëzimin e tyre.

Ukraina nuk ka marrë një mbështetje të tillë kundër sulmeve me raketa ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës, pjesërisht për shkak të rrezikut që forcat ajrore perëndimore mund të përfundojnë duke qëlluar drejtpërdrejt forcat ruse.

Edhe tani, SHBA-ja ka vendosur kufizime të rëndësishme mbi faktin se sa larg mund të shkojë Ukraina për t’ju kundërpërgjigjur forcave ruse me armë të ofruara nga Uashingtoni. Politika e re është që Ukraina është e lirë të godasë forcat ruse që po qëllojnë në Ukrainë nga përtej kufirit. Por sulmet ndaj objektivave thellë brenda territorit rus janë ende jashtë tryezës së diskutimeve.

Pavarësisht shqetësimeve për reagimin e mundshëm të Rusisë ndaj kësaj lëvizjeje të fundit, vendimmarrësit amerikanë ende mendojnë se rrethanat që mund të shkaktojnë një përgjigje bërthamore të Rusisë janë mjaft të largëta. Dy situatat që përmenden më shpesh janë nëse ushtria ruse do të mposhtet në fushën e betejës; ose nëse forcat tokësore ukrainase kërcënojnë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi zyrtarisht në 2014.

Momenti më i afërt ndaj një krize të vërtetë bërthamore mbi Ukrainën, ishte në tetor të vitit 2022, kur Rusia pësoi një sërë pengesash katastrofike në luftë, duke përfshirë humbjen e Khersonit. Ishte një fundjavë kur zyrtarët perëndimorë u shqetësuan seriozisht se Rusia mund të ishte në pikën e përdorimit të armëve bërthamore.

Por, ajo krizë krijoi gjithashtu një manual të ri mbi mënyrën se si vendet perëndimore të sillen ndaj kërcënimeve bërthamore të Rusisë, kur ato duken vërtet serioze. Hapi i parë është të bisedohet me homologët rusë dhe të kërcënohet me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe masive të perëndimit në konflikt. Hapi i dytë është të bisedohet me fuqitë e tjera të mëdha – në veçanti, me Kinën dhe Indinë – dhe të detyrohen këto vende që të paralajmërojnë Rusinë, mundësisht në publik.

Për momentin, ky manual është në tavolinën e bisedimeve. Por mund të duhet të vihet edhe një herë në veprim përpara se lufta në Ukrainë të përfundojë, në një mënyrë apo në një tjetër.

Lidion Kulla  /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat