Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2024, 11:38

Bilanc i dobët në tregun e sigurimeve vullnetare - Më pak të ardhura nga portofoli i pronës, zjarrit dhe forcave të natyrës

Nga SCAN TV
Bilanc i dobët në tregun e sigurimeve vullnetare - Më pak të

Edhe në katërmujorin e parë të 2024-ës, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë kanë zgjedhur të sigurohen vetëm për jetën, shëndetin dhe aksidentet. Ndërkohë që llojet e tjera të sigurimit vullnetar vazhdojnë të ruajnë një bilanc negativ.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet e sigurimit vullnetar kapën shifrën 3 miliard lekë, 5.15% më pak se në periudhën janar - prill 2023. Megjithatë, numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.31 %.

Primet nga sigurimet e jetës në katër muajt e parë të 2024-ës, arritën rreth 660 milionë lekë, ose 16.49% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit janë rritur me 20.54% duke shkuar në vlerën 509 milionë lekë. Ndërsa primet e sigurimit vullnetar të jo-jetës patën një ulje me 9.94%.

Nga ana tjetër, shuma e të ardhurave të siguruara nga portofolat e pronës, përgjegjësive dhe garancive ka pësuar një rënie të dukshme krahasuar me vitin e shkuar. Në muajt janar-prill 2023 u siguruan mbi 1,7 miliard lekë të ardhura në total, por në këtë vit rezulton se janë grumbulluar 500 milionë lekë më pak. Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 66.21%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 24.30% të totalit.

Numri i kontratave të sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës është rritur me 3.86%, por vihet re një ulje prej 34.55% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli krahasuar me periudhën janar-prill 2023.

Këto shifra tregojnë një treg të paqëndrueshëm të sigurimeve vullnetare në katërmujorin e parë të vitit 2024, ku sigurimi nga zjarri, forcat e natyrës apo sigurimi i përgjithshëm i pronës, kanë shënuar vlera shumë më të ulëta se viti i shkuar.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat