Europa Postuar më 8 Maj 2022, 14:33

Itali, prodhimi në prill ra me 2,5% - Përqindja e firmave prodhuese që raportojnë vështirësi mbeti e lartë

Nga SCAN TV

Vazhdimi i konfliktit dhe tensioneve në çmimet e mallrave, duke nisur nga emergjenca e gazit, ka frenuar prodhimin industrial në Itali, që ishte -2% në mars dhe -2,5% në prill. Këto janë vlerësimet e reja të Qendrës së Studimeve të Konfindustrisë, që regjistrojnë rënie pas rimëkëmbjes në shkurt me 4%. "Anketat mbi ndjenjën e sipërmarrjes dhe dinamikën e tkurrur të porosive dhe pritjeve të biznesit, nuk sugjerojnë përmirësime të rëndësishme në periudhë afatshkurtër", deklaron Konfindustria.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, vlerësohet një rënie e prodhimit industrial -1.6% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021. Rënia e mëtejshme e prodhimit në prill do të ndikojë negativisht edhe në dinamikën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë, pas rënies së regjistruar në të parin. Konfindustria nënvizon vijimin e ndikimit të faktorëve që penguan aktivitetin prodhues edhe para nisjes së konfliktit në Ukrainë, si rritja e çmimeve të lëndëve të para, apo mungesa e tyre, që në tremujorin e parë u konfirmuan të jenë shumë domethënës. Ndërkohë, vlerësimet për pengesat kryesore të eksporteve janë ende negative. Përqindja e firmave prodhuese që raportojnë vështirësi përsa i përket kostove dhe çmimeve më të larta dhe kohëve më të gjata të dorëzimit mbeti e lartë.

Këta faktorë kontribuan në tkurrjen e besimit të biznesit të regjistruar midis marsit dhe prillit. Indeksi i pritshmërive për ekonominë italiane regjistroi një rënie nga +0,6 në fillim të vitit në - 34,8 në prill, një vlerë e krahasueshme me atë të dhjetorit 2020.

Natyrisht, midis shumë faktorëve të pasigurisë, është veçanërisht ai i rritjes së çmimeve të mallrave, duke filluar nga gazi. Në prill çmimi mesatar i gazit natyror ishte 698% më i lartë se përpara shpërthimit të pandemisë, ajo e naftës së Detit të Veriut ishte 56% më e lartë. Prandaj, rritja e çmimeve të mallrave po pengon aktivitetin e prodhimit përgjatë të gjithë zinxhirëve të furnizimit.

Blerta Lata / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat