Europa Postuar më 25 Qershor 2024, 11:30

Ish-kreu i Bankës Europiane të Investimeve, nën hetim - Prokurorët e akuzojnë për korrupsion dhe shpërdorim fondesh

Nga SCAN TV
Ish-kreu i Bankës Europiane të Investimeve, nën hetim -

Werner Hoyer, ish-president i Bankës Europiane të Investimeve, konfirmoi se është nën hetim nga prokurori publik i BE-së për korrupsion dhe shpërdorim fondesh, akuza të cilat Hoyer i ka konsideruar si të pabazuara në fakte.

Hoyer ka thënë se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin nga Zyra e Prokurorit Publik Europian - EPPO, që lidhet me kompensimin e paguar për një ish-punonjës të BEI.

Në një deklaratë zyrtare të dërguar me e-mail, Hoyer u shpreh se akuzat ndaj tij janë absurde dhe të pabaza. Ai theksoi se është duke bashkëpunuar plotësisht me EPPO-në dhe kërkonte një sqarim të plotë të fakteve.

Në deklaratën e dërguar nëpërmjet avokatit të tij, thuhet se hetimi ka të bëjë me një marrëveshje stafi të nënshkruar nga Hoyer gjatë kohës që ai mbante postin e presidentit, por që ai nuk kishte asnjë rol në negocim.

Ish-zëvendësministri i jashtëm gjerman dha dorëheqjen nga drejtimi i BEI në fund të vitit 2023, pasi kreu dy mandate gjashtëvjeçare, për t'u zëvendësuar nga Nadia Calviño e Spanjës.

Një zëdhënës i BEI tha se nuk mund të komentojë mbi hetimet e jashtme në vazhdim, por do të bashkëpunojë me prokurorët në përputhje me praktikën e zakonshme. BEI ka hequr imunitetin e dy ish-punonjësve të paidentifikuar, duke u lejuar prokurorëve akses në mjedise dhe dosje.

Kërkesa u bë si pjesë e një hetimi në vazhdim që përfshin dy individë të dyshuar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, si dhe për shpërdorim të fondeve të BE-së, duke shtuar se të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet fajësia.

EPPO u lançua në vitin 2021 për të hetuar çështje të tilla si mashtrimi i subvencioneve të fermave, por gjithashtu është interesuar për akuzat mbi kontratat e nënshkruara midis Komisionit Europian dhe prodhuesit të vaksinave Pfizer.

BEI është një institucion i BE-së me 250 miliardë euro kapital i mbështetur nga ministritë e financave të bllokut - me fokus në fushat prioritare si ndryshimi i klimës dhe rindërtimi i Ukrainës.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat