Europa Postuar më 22 Nëntor 2023, 10:45

Greqia ul TVSH për disa kategori - Ndryshime të disa taksave të përcaktuara në pr/buxhetin 2024

Nga SCAN TV
Greqia ul TVSH për disa kategori - Ndryshime të disa taksave të

Drafti përfundimtar i buxhetit 2024, që pritet të diskutohet dhe miratohet nga Parlamenti i Greqisë, parashikon ndër të tjerat një periudhë gjashtë mujore, deri në fund të qershorit, të normës së ulët të tatimit mbi vlerën e shtuar prej 13% për kafenetë dhe taksitë, duke e bërë atë të përhershme për transportin, paketat turistike, palestrat dhe biletat e kinemasë e teatrit. Gjithashtu, dokumenti parashikon edhe rivendosjen e normës së lartë të TVSH-së prej 24% për pijet joalkoolike, përjashtuar ujin.

Ministria greke e Ekonomisë dhe Financave, nga frika e rritjes së çmimeve për produktet dhe shërbimet në fjalë në një mjedis inflacionist, rekomandoi që buxheti të marrë përsipër kostot fiskale të kësaj ndërhyrjeje, edhe pse tendenca e përgjithshme dhe rekomandimi i Komisionit Europian anon nga tërheqja e masave mbështetëse për të përballuar krizën pandemike dhe atë energjitike.

Në këtë vendim ka ndikuar ecuria e mirë e buxhetit, e cila në mënyrë sistematike ka shfaqur ‘mbiperformancë’. Kostoja, megjithatë, është çdo gjë tjetër veçse e papërfillshme, pasi shkon në rreth 400 milionë euro.

Kjo vjen në vijim të masave të përhershme që tashmë janë miratuar dhe do të zbatohen në vitin 2024, në vlerë prej 1.6 miliardë euro. Këto kanë të bëjnë me rritjen e pagave për nëpunësit civilë, rritjen e pensioneve, rritjen e përjashtimit nga taksat për familjet me fëmijë, uljen e taksës së pronës ENFIA për shtëpitë e siguruara dhe përjashtimin e ish-përfituesve të EKAS-it nga pjesëmarrja në koston e blerjes së ilaçeve.

Buxheti do të sigurojë edhe të ardhura shtesë në krahasim me draftin, falë masave kundër evazionit fiskal që do të miratohen. Sipas ministrit grek të ekonomisë Kostis Hatzidakis, burimet përkatëse do të ndahen për rritjen e shpenzimeve për shëndetësi dhe arsim.

Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, raportohet se do të ketë vetëm ndryshime margjinale në shifrat e mbetura buxhetore. Sipas analistëve, ka mundësi që rezultati përfundimtar të jetë më i mirë se parashikimi 1.1% e PBB-së. Për vitin 2024, objektivi i projektbuxhetit është një suficit primar prej 2.1%, ndërsa javën e kaluar Komisioni Europian në parashikimet e tij të vjeshtës e vendosi atë në 2.5%.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat